Topi, sërish në Itali, vizitë në rajonin e Lombardisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, nisi dje një vizitë në Itali ku u prit nga prefekti i Milanos, z. Lombardi, dhe më pas zhvilloi një takim në Presidencën rajonale me Presidentin e Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni. Pas një vizite 4-ditore para disa kohësh, ai rikthehet në shtetin fqinj. Presidenti Topi nënvizoi nevojën që marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe raportet e miqësisë tradicionale duhet të konkretizohen edhe me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Kreu i shtetit u shpreh se edhe kjo vizitë, ashtu si edhe ajo e para disa ditëve e Kryeministrit Berluskoni në Tiranë, kontribuon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të tyre dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhënë Shqipërisë përgjatë viteve, duke e konsideruar atë partnerin tonë strategjik. Presidenti Topi përshkroi klimën e favorshme dhe kuadrin e përshtatshëm ligjor për tërheqjen e investimeve të huaja, duke theksuar se mundësitë e investimeve lombarde dhe bashkëpunimi ekonomik janë shumë të mëdha në fusha si energjitika, infrastruktura, duke përmendur veçanërisht Korridorin 8, turizmi, sidomos ai bregdetar, ku ka nevojë për projekte konkrete si dhe marrjen e përvojës, ku veçoi përvojën e vyer lombarde në fushën e decentralizimit. Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e kreut të shtetit shqiptar, theksoi se rajoni që ai drejton dhe investitorët italianë janë të hapur dhe të gatshëm për të shikuar mundësitë e rritjes së pranisë së tyre në tregun e favorshëm shqiptar.
Presidenti lombard, Formigoni, vuri në pah miqësinë e fortë dhe tradicionale mes dy popujve tanë dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për partnerin e saj strategjik, Shqipërinë, siç e quajti ai dhe vlerësoi lart rolin moderator të Presidentit Topi, duke theksuar se vendi ynë ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj, sidomos për sipërmarrësit italianë, duke siguruar për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe ndarjen e përvojës pozitive në fusha të ndryshme si decentralizmi etj.