E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, PLL: Heshtja e opozitës, monopolet në zotërim

Partia Lëvizja e Legalitetit vlerësoi dje buxhetin e vitit 2009 si një buxhet realist që do të ruajë treguesit makroekonomikë dhe të sigurojë jo vetëm ritme të larta të zhvillimit, por edhe investime voluminoze në sektorët prioritarë dhe rritje të të ardhurave për çdo familje shqiptare. Kryetari legalist, Ekrem Spahia, vëren me shqetësim fenomenin e çmimeve të larta në treg, sidomos të hidrokarbureve dhe drithërave. “Ndërkohë që çmimet e tyre në tregun botëror kanë pësuar ulje drastike, tek ne tregtohen me çmimet e mëparshme”. Sipas pikëpamjes së legalistëve, klima e re e krijuar prej qeverisë për liberalizimin e licencave të biznesit dhe krijimin e lehtësirave për hyrjen e bizneseve në treg, nuk ka ndikuar aq sa duhet për zhdukjen e oligopoleve që ekzistojnë në këta sektorë. “Si një parti e bindur në epërsinë e ekonomisë së tregut, - theksoi Spahia, - PLL-ja nuk mund të pranojë që demokracia të njolloset nga lakmia e atyre që kanë krijuar monopol, duke nxitur qeverinë që të marrë masa radikale për përmirësimin e gjendjes”.

Z. Spahia dënoi edhe heshtjen e opozitës për fenomenin e çmimeve të larta në treg, duke thënë se “heshtja e tyre tregon më së miri se monopolet janë në zotërim të tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›