E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha PD do ndertoje sistemin e vleresimit te merites e karrieres per cdo anetar

Kandidati për kryetar i PD Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë në Lushnje, Peqin dhe Gramsh. Në platformën e zotit Basha për fillimin e ri të PD anëtarët dhe simpatizantët do të jenë pjesë e vendimmarrjes organizative dhe politike të partisë. Zoti Basha garantoi se nën drejtimin e tij PD do të ketë një sistem të vlerësimit të meritës dhe karrierës së çdo antari të PD nga më i vjetri deri tek më i riu. Nuk do të ndodh më sipas Bashës, që kontributi i anëtareve dhe militantëve të harrohet sa herë PD fiton zgjedhjet.

“Partia Demokratike do të ndërtojë një sistem transparent dhe të drejtë të kreditimi të meritës dhe karrierës. Ne e dimë fare mirë se më të përkushtuarit mes nesh, më gjigandët në kontribute janë gjithmonë, të fundit në pretendime, të fundit në kërkesa, të fundit në përfitime.”– u shpreh z. Basha.

Zoti Basha theksoi se çdo anëtarë i PD duhet të jetë krenar për trashëgiminë e çmuar të kësaj partie, trashëgimni e cila do të jetë sipas Bashës gurë themeli i fillimit të ri të saj.

“Ne jemi partia që shembi komunizmin, ne jemi partia që pas gjeneratash harrese, riktheu para shqiptarëve idealet e shoqërisë së lirë. Pas 20 vitesh që u antarësuam në Këshillin e Evropës ishim prapë ne që nënshkruam MSA, ishim ne që morëm ftesën për në NATO, ishim ne që e anëtarësuam vendin në NATO, ishim ne që i hoqëm vizat dhe i kthyem dinjitetin shqiptarëve, jemi ne që iu dhamë shqiptarëve infrastrukturën më moderne rrugore dhe energjitike që vendi ka njohur ndonjëherë dhe për këtë çdo demokrat dhe demokrate sot duhet të jetë shumë krenarë. Ky është një gurë i rëndë themeli që nuk e lëviz dot askush e aq më pak mazhoranca e votës së deformuar, të blerë dhe të korruptuar të 23 qershorit.” –theksoi z. Basha.

Duke akuzuar Edi Ramën se po kërkon të drejtojë qeverinë nga PS-ja, zoti Basha tha se opozita dhe çdo qytetarë shqiptarë i cili që sot ndjehet i mashtruar nga premtimet e kësaj mazhorance duhet të përgatitet për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet.

“I keni parë se si po kërkon të menaxhojë pushtetin nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, këtë provojë e njohim, kësaj i thonë parti–shtet. E filluan me kundërshtimin që i bënë rritjes së rrogave dhe pensioneve minimale para një jave, e vazhduan me kërcënimet banditeske ndaj përfaqësuesve tanë në KQZ, por në çdo rast ne do të jemi gati për t’ju përgjigjur kësaj kulture anti-shtet me instrumentat e nevojshëm institucional, politikë dhe ligjorë për të mbrojtur shtetin, institucionet dhe administratën publike.”- deklaroi z. Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›