Grabitjeje me armë në Pukë, plagosen 6 persona, mes tyre edhe 2 fëmijë
Gjashtë persona mes tyre dhe dy fëmijë 9 dhe 5 vjeç janë plagosur në orët e para të mëngjesit të sotëm gjatë një tentative grabitjeje.
Ngjarja e rëndë është shënuar në vendin e quajtur kthesa e Vrithit, në komunës Luf- Qerret të rrethit të Pukës ku tre persona të armatosur dhe me maska i kanë prerë rrugën një automjeti me AA 506 DP, i cili drejtohej nga shtetasi Astrit Kopani dhe i kanë kërkuar të ndalojë.
Mësohet se drejtuesi i mjetit ka tentuar të shmangë përballjen me grabitësit ndërsa këta të fundit kanë qëlluar me breshëri automatiku drejt automjetit.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur shtetasit Zamir dhe Mirjeta Xhaferraj, përkatësisht 42 dhe 33 vjeç, Astrit dhe Valbona Kopani, të dy nga 44 vjeç si dhe dy fëmijët e çiftit Xhaferraj, A. Xh. 9 vjeç dhe E. Xh. 5 vjeç, të cilët ndodhen të shtruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Një nga pistat kryesore të uniformave blu është grabitja por nuk përjashtohet edhe pista të tjera.