E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Plani Urbanistik per sot dhe per brezat e ardhshem

Njësia Bashkiake nr. 5 ka qenë ndalesa e rradhës e konsultimeve, për Planin Urbanistik të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka theksuar se Plani i ri Urbanistik do të miratohet, vetëm pasi të jetë marrë në konsideratë mendimi i qytetarëve dhe në të do te reflektohen plotësisht nevojat e qytetarëve të Tiranës, për sot dhe për brezat e ardhshëm

”Sot vijmë me parimet bazë, parime të cilat duhet dhe do të kenë miratimin përfundimtar vetëm pasi të kenë kaluar sitën e mendimit qytetar dhe vetëm pasi zëri I çdokujt jo vetëm në këtë sallë por edhe jashtë kësaj salle të dëgjohet për çështje që kanë të bëjnë me shtëpinë e tij, apartamentin, bllokun e banimit, kompleksin, lagjen apo të gjithë njësinë bashkiake. Plani do të reflektojë vlerat më të mira jo sot, por edhe pas 5, 10, 20 vitesh dhe ky është kriteri I vetëm me të cilin ne mund të themi pas 20 apo 30 vitesh, që ndërmarrja jonë e vitit 2012 ishte një ndërmarrje e suksesshme. Do të jetë një plan afatgjatë dhe që reflekton plotësisht nevojat e qytetarëve të Tiranës për sot dhe për brezat e ardhshëm” – u shpreh Kryetari i Bashkisë z. Lulzim Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha ka theksuar se kompleksi Dinamo, zona e pishinave, Kopshti Botanik dhe Kopshti Zoologjik do të mbeten zona në shërbim të komunitetit.

“Unë besoj se komunitetit të kësaj zone të Tiranës, qytetarëve të Tiranës u vlen mbajtja e kompleksit Dinamo, në parametrat që ndodhet dhe rinovimi i infrastrukturës sportive aty. Ju e dini se unë jam angazhuar publikisht për këtë, jo vetëm për kompleksin Dinamo por edhe zonën e pishinave. Kjo do të thotë se si kompleksi “Dinamo”, si zona e pishinave do të ruhen e rigjenerohen sipas formulës së zonave rekreative, për t’i shërbyer kësaj njësie bashkiake e gjithë Tiranës. Projekti i famshëm që shikonte poshtë digës një numër shumë të madh banesash, siç e kam thënë nuk mund dhe nuk do të ekzekutohet . Sigurisht e njëjta gjë vlen edhe për kopshtin botanik dhe zoologjik” - tha z. Basha.

Njësia nr. 5 ka një rrjet rrugor ku kalon një nga arteriet kryesore të qytetit, siç është unaza e madhe, segmenti i saj nga Kopshti Zoologjik deri tek lidhja me rrugën Tiranë – Elbasan tashmë është gati e përfunduar, ndërkohë pjesa tjetër duke e lidhur me rrugën e “Kavajës” tek ura teknologjike ka përfunduar prokurimi dhe së shpejti nisin punimet.

Një aks tjetër shumë i rëndësishëm që do të hapet shumë shpejt brenda këtij viti është segementi Rruga e” Kosovarëve”, me një gjatësi prej 600 metër që është zgjatimi i rrugës “Skënder Luarasi”. Gjithashtu, në mënyrë që të formojmë të ashtuquajturën unazën tjetër të qytetit, është parashikuar edhe zgjatimi i aksit “Skënder Luarasi”, deri ku ndërpritet me rrugën “Isuf Elezi” , apo siç njihet ura “Irfan Tomini”.

Grupi planifikues ka menduar që të treja unazat që e përshkojnë këtë njësi, të lidhen me radialet e tyre, ku më kryesorja është zgjatimi i rrugës “Komuna e Parisit”, për të shkarkuar gjithë trafikun e zonës në unazën ekzistuese. Gjithashtu është zgjerimi i rrugës “Kristo Luarasi”, duke vazhduar deri tek Garda e Republikës dhe më tej për t’u lidhur me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në këtë njësi bashkiake është parashikuar edhe zgjerimi i rrugës “Tish Daia” dhe “Hysen Zaloshnja”. Në këtë zonë janë dy parkime nëntokësore, të cilët janë të parashkikuara edhe ato shtrihen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në njësinë bashkiake nr. 5 ekspertët hartues të Planit Urbanistik kanë parashikuar ndërtimin e gjashtë kopshteve dhe 6 çerdheve, një shkollë e mesme dhe dy shkolla 9– vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›