Presidenti Nishani merr mbështetjen e zyrtarëve të rajonit për integrimit e Shqipërisë
Nju Jork, kreu i shtetit takon kryeministrin italian, Mario Monti
Presidenti, Bujar Nishani ka marrë mbështetjen e zyrtarëve të lartë të rajonit për mbështetje në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kështu, në kuadër të punimeve të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim me Kryeministrin e Italisë, zotin Mario Monti. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera dhe ndanë mendimin se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara në thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Monti pasi shprehu konsideratën e tij për rezultatet e reformave në Shqipëri theksoi se Italia do të vazhdojë të luajë rolin e saj në mbështetje të aspiratës evropiane të Shqipërisë.
Gjithashtu, kreu i shtetit Nishani pati një takim të veçantë edhe me Presidentin e Republikës së Sllovakisë, zotin Ivan Gasparovič.
Takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, situatën në rajon dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryetari i shtetit kërkoi një zë më të fortë të Sllovakisë në mbështetje të Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria. Presidenti Nishani gjeti mirëkuptimin e plotë të homologut Gasparovič, ndaj kërkesës së tij që Sllovakia të përkrahë me zë më të fortë marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë.Bashkëpunimi dypalësh, situata në rajon dhe integrimi evropian ishin gjithashtu në qendër të takimit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, zotin Janez Janša.
Presidenti Nishani mori garancinë e Kryeministrit Janša, se Sllovenia do të përkrahë në mënyrë edhe më aktive kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev gjatë takimit me Presidentin Nishani shprehu bindjen se Shqipëria do të fitojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe premtoi se Bullgaria dhe ai personalisht do të vazhdojnë të mbështesin me forcë integrimin e Shqipërisë në BE.
Presidenti i Republikës zhvilloi një takim të shkurtër edhe me Kryeministrin e Mbretërisë së Butanit, Jigme Thinley, me të cilin shkëmbyen mendime për nisjen e dialogut mes dy vendeve me qëllim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit në interes të ndërsjellë.
PPo kështu, gjatë qëndrimit në Neë York, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në takimin vjetor të Federatës Panshqiptare në Amerikë “Vatra”, ku ishte ftuar edhe delegacioni i Kosovës.
Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen këtë kontribut, duke nënvizuar se përfaqësuesit e federatës “Vatra” meritojnë respektin maksimal të mbarë kombit shqiptar për kontributin e rëndësishëm në historinë e kombit, për atdhedashurinë e lartë me të cilën mbrojtën liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, në pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë.