Maqedoni, ligji për ushtarët maqedonas është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit
Zv/kryeministri Musa Xhaferi: Ligji nuk do të lejohet të miratohet”
Paralajmërimet e fundit për pasojat e dëmshme nga propozim ligji për pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë kanë ardhur nga zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku po qëndron për vizitë zyrtare, Xhaferi ka porositur se me miratimin e njëanshëm të këtij ligji, Maqedonia rrezikon shumë pasi propozimi është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.
“Unë besoj se ligji nuk do të kalon për arsye se po qe se kalon ligji do të hapen tema, kapituj të ri ku shqiptarët do të kërkojnë akoma më shumë garancën në kuadër të Kushtetutës që nuk do të vij deri te majorizimi gjatë votimeve dhe kështu që Maqedonia ka shumë rreziqe, mund të hyj në një fazë ku do të hapen shumë tema për të cilat do të ishte edhe më vështir që t’i përballojnë forcat politike në Maqedoni përmes dialogu. Unë besoj se po të hymë në atë fazë pa ndihmën e faktorit të jashtëm vështir se mund të zhvillohet një dialog për të ndërtuar, pasuruar sistemin politik”- u shpreh Musa Xhaferi, i cili ka shtuar se ngjarjet e fundit po dëmtojnë edhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Që të jemi objektivë, është ec përpara është kthyer stabiliteti në Maqedoni mirëpo ngjarjet e fundit po dëshmojnë se akoma nuk është realizuar fryma, esenca e Marrëveshjes së Ohrit dhe ne do të bëjmë edhe shumë punë, duhet të kemi mjaft kondicion që të vazhdoj dialogu ku disa herë ka edhe tensione, konflikte të brendshme por janë në kuadër të institucioneve dhe ne do t’i bindim palën maqedonase se të drejtat e shqiptarëve janë të drejta demokratike dhe duhet të realizohen përndryshe ne do të jemi në një konflikt permanent”- tha ai.
Në ndërkohë Kuvendi i Maqedonisë ka anuluar seancën e 40-të në të cilën në rend dite gjendet Propozim Ligji për ish pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë. Shkak për këtë anulim është vazhdimi i seancës së Komisionit për punë dhe politikë sociale, ku duhet të kalojë ky propozim para se të vijë në seancë plenare, ndërsa komisioni për punë dhe politikë sociale vazhdon të bllokohet nga deputeti i BDI-së Talat Xhaferi, i cili ka vazhduar me fjalimin e tij maratonik.