E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Presim investitorë të huaj, shanse të shumta për punësim

03-05-2012 / Gazeta 55

Këshilli Bashkiak miraton 5 projektet e kryebashkiakut Lulzim Basha. Ish-ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini shpallet qytetar nderi i Tiranës

Këshilli Bashkiak miraton 5 vendimet e administratës “Basha”, si rregullorja e bashkisë, përditësim i hartës së bonusit të strehimit për 3 zona në kryeqytet, shpërblimin prej 2 milionë lekësh të reja ndaj nënkampiones së Europës në peshëngritje Romela Begaj si dhe treguesit ekonomik dhe financiar për periudhën 2013-2015. Pas debateve të shumta mes këshilltarëve, të majtët braktisën mbledhjen për t’u rikthyer pas 40 minuash, ndërsa mbledhja vazhdoi me diskutime për 5 projektvendimet, të cilat u prezantuan nga kryebashkiaku, Lulzim Basha.
Gjatë fjalës së tij, Basha u bëri thirrje këshilltarëve socialistë që të kthehen në vendet e tyre dhe të shprehin vullnetin me votë, pasi siç tha ai, vendimet që do trajtojë këshilli janë në interes të qytetarëve.
“Jam kundër akteve të pahijshme dhe tonet e larta nuk i shërbejnë mirëkuptimit. Sot paraqes 5 projekt-vendimet e majit për Tiranën e shekullit të 21 për miratim. Prioriteti ynë është zhvillimi ekonomik i Tiranës. Këtë muaj shpallet fituesi i konkursit për bulevardin. Qytetarët duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes”, u shpreh Basha, duke prezantuar 5 vendimet e Bashkisë.
Kryebashkiaku theksoi se muaji maj është ‘muaj europian’ i cili vjen edhe në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, ku në 9 maj festohet dita e Europës.
“Dua t’ju njoftoi se Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë hapash dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me delegacionin e KE, me partnerët, presidencën europiane, jo vetëm në përkujtimin e ditës së shënuar të 9 majit, Ditës së Europës, por në vazhdimësi në të gjitha aktivitete, për të thelluar më tej bashkëpunimin thelbësor me BE-në në të gjitha fushat, me synim zhvillimin ekonomik të kryeqytetit”, u shpreh Basha.
Në këtë muaj të Europës, tha Basha, do të hidhet një hap domethënës përpara si: prezantimi para grupit strategjik dhe publikut të draft-planit urbanistik dhe përfundimin e procesit të konkurrimit për bulevardin e ri dhe lumit të Tiranës.
“Në maj e gjithë bota ‘zbret’ në Tiranë. Këto ditë ne presim një delegacion të madh investitorësh dhe një nga fuqitë e reja, por shumë të madha ekonomike të botës, siç është Kina, të cilët vijnë të informuar për planet tona të zhvillimit dhe me plane konkrete për të qenë pjesë e investimeve të huaja në Tiranë. Këto investime do të kenë një rol të veçantë në rritjen e ekonomisë, krijimin e shanseve për punësim, veçanërisht për brezin e ri. Në të njëjtën kohë që ne vendosim fituesit e konkursit për bulevardin, në Tiranë do të vij një delegacion i posaçëm i dy prej organizatave vendimmarrëse dhe zhvilluese të shtetit të Katarit, i cili është afër hapave finalë për financimin e kësaj vepre gjigande të infrastrukturës dhe ndërhyrjes me investime private përgjatë aksit të ri të bulevardit dhe në pjesë të tjera të qytetit”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.

Debatet
Mbledhja e djeshme e këshillit bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate të ashpra mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë.
Pas debateve mes kreut të Këshillit, Njazi Kosovrasti dhe kryetarit të grupit të këshilltarëve të PS, Aldrin Dalipi, këshilltarët e majtë dolën nga salla duke bojkotuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Bojkoti erdhi pasi 20 këshilltarë demokrat kanë firmosur shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj duke ngjallur pakënaqësinë e këshilltarëve socialist. Kreu i grupit të këshilltarëve të PS, Aldrin Dalipi kërkoi nga këshilltarët e djathtë që të jepeshin arsyet e këtij shkarkimi, të cilin e quajti të jashtëligjshëm.
“Gjonaj ka qenë funksionar politik, apo gjatë viteve të punës së tij ka paraqitur shqetësim që sot na bien në këtë përfundim”, theksoi Dalipi.
Ndërkaq, kryetari i këshilltarëve të PD-së në këshillin bashkiak, Ferdinand Poni kërkoi vazhdimin e mbledhjes edhe pa praninë e këshilltarëve të majtë, pasi sipas tij, ikja e tyre është mesazh që s’do kthehen më.
“Nuk mendoj se duhet të bëjmë pushim. Këshilltarët e majtë e kanë ndarë mendjen të ikin, le të ikin, nuk do shkojmë dhe ne pas tyre. Mbledhja të vijojë sipas rendit të ditës dhe të mos bëhemi pjesë e lojërave të tyre”, u shpreh Poni.
Por, 40 minuta më pas, rreth orës 21.00, këshilltarët e majtë u rikthyen në mbledhje.

Rikonfigurimi i Këshillit Bashkiak, shkarkohet sekretari
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti nisi mbledhjen me propozimin për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj. Kreu i këshilltarëve demokrat Ferdinand Poni tha se shkarkimi i Gjonaj vjen si rezultat i rikonfigurimit të Këshillit Bashkiak.
Mazhoranca kërkoi një sekretar tjetër në vend të Vladimir Gjonaj dhe për këtë ka depozituar kërkesën me 20 firma të këshilltarëve bashkiakë.
Përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Bashkiak, Shezai Rrokaj, u shpreh se “kërkesa është ligjore, 1/3 e këshilltarëve ka vullnetin për ta kërkuar shkarkimin. Sa për arsyet ato mund të thuhen gjatë diskutimeve, nëse do të ketë të tilla. Futeni në rendin e ditës dhe ua themi arsyet”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›