Berisha: Mbreti Zog, shtetari i vetëm në Evropë që s’u mbylli derën hebrenjve

Kuvendi i Shqipërisë organizon një seancë të posaçme për Holokaustin
Kryeministri e cilësoi Holokaustin si aktin më barbar në memorien e qytetërimit, i cili u bazua në doktrinën raciste të nazistëve mbi epërsinë e racës së tyre ariane dhe kërcënimin e kësaj race nga raca të tjera inferiore. Krahas nderimit për viktimat e Holokaustit, Berisha tha se në memorien e shqiptarëve është edhe regjimi i Enver Hoxhës, barbaritë e të cilit synonin çnjerëzimin. Kreu i qeverisë vlerësoi Mbretin Zog, i cili ishte shtetari i vetëm që nuk i mbylli dyert dhe kufijtë për hebrenjtë
Topalli: “Pak i njohin sakrificat që kanë bërë shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë”
Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur dje një seancë të posaçme për Holokaustin, që është cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e njerëzimit. Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij përpara deputetëve të Kuvendit u shpreh se, Holokausti është akti më barbar në memorien e qytetërimit.
Kryeministri hoqi të njëjtin paralelizëm me holokaustin edhe për regjimet diktatoriale që kanë prekur njerëzimin në dekada të ndryshme. “Holokausti është akti më barbar në memorien e qytetërimit, ai u bazua në doktrinën raciste të nazistëve mbi epërsinë e racës së tyre ariane dhe kërcënimin e kësaj race nga raca të tjera inferiore, në krye të të cilave sipas çmendurisë së tyre renditej njëra pre racave më fisnike të njerëzimit, ajo e hebrenjve. Ndaj, diktaturat janë të këqijat më të mëdha të kësaj toke, sepse janë ato, që burrat dhe gratë e njerëzishëm i shndërrojnë në burra dhe gra të ç’ njerëzishëm, sepse janë ato që burrat dhe gratë e qytetëruar i shndërrojnë në burra dhe gra të ç’ qytetëruar, sepse janë ato të cilat zgjojnë demonët nga subkoshienca njerëzore dhe i bëjnë njerëzit të ndërmarrin akte dhe barbari nga më të mëdhatë”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi në fjalën e tij se krahas nderimit për viktimat e pafajshme të Holokaustit, në memorien e shqiptarëve janë dhe barbaritë e një regjimi po aq gjakatar që objektiv kishte çnjerëzimin.
“Ne shqiptarët, krahas nderimit të madh që kemi për viktimat e Holokaustit në vende të tjera, në memorien tonë kemi, në mënyrë të padiskutueshme, barbaritë e një regjimi i cili sërish, burrat dhe gratë e qytetëruar i shndërronte në burra e gra të çqytetëruar, burrat e gratë e njerëzishëm i shndërronte në burra e gra të çnjerëzishëm. Nuk ndiqte ndoshta linja etnike, por ndiqte linja të egra klasore, në një luftë me pasoja nga më të rëndat kombëtare. Ndaj edhe ne, sërish dy herë nuk duhet të harrojmë, por duhet të rikujtojmë, pasi prapë ne vuajmë nga pasojat e kësaj diktature. Po i referohem rastit të Bahri Omarit dhe e marr si shembull atë për faktin se, që në vitet e para të rinisë së tij në SHBA dhe deri në fund, qëndroi në anën e atdheut të tij, të vendit të tij. Sërish ai qëndron aty ku e murosi, pas ekzekutimit, diktatura komuniste. Pra, ne kemi shumë për të bërë, në mënyrë që sakrifica, dhimbja dhe vuajtja jonë kombëtare, të na bëhet dritë për të ardhmen që meritojmë”, tha ai.
Kryeministri kujtoi me nderim e respekt ato qindra familje të thjeshta shqiptare që në mes të terrorit nazist, me shumë humanizëm, trimëri dhe vetë-sakrifikim, strehuan, mbrojtën dhe shpëtuan nga vdekja mijëra hebrenj. Kryeministri Berisha vlerësoi aktin human të Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogut, i cili u bë shtetari i vetëm që nuk i mbylli dyert dhe kufijtë për hebrenjtë, por përkundrazi krijoi të gjitha lehtësirat që ata të hynin në Shqipëri. Në këtë kontekst, kryeministri shprehu nderimin për autoritetet shqiptare të kohës, të cilat ndonëse në kohë okupacioni, nuk pranuan asnjëherë të hynin në marrëveshje me nazistët për të dorëzuar hebrenjtë shqiptarë dhe ata që erdhën nga vende të tjera.
“Duke nisur nga kryeministri Mustafa Kruja, nga ministrat, zëvendësministrat e Brendshëm, që të gjithë, pa përjashtim, qëndruan në anën e viktimave dhe bënë, së bashku me qytetarët shqiptarë, që ky vend, kjo tokë, të jetë e vetmja në të cilën numri i hebrenjve në fund të luftës, të ishte shumë më i madh se në fillim të saj. Ata shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj dhe renditën kombin në krye të shpëtimtarëve të qytetarëve me origjinë hebre”, tha Berisha.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
Para fjalës së kryeministrit ishte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli që kujtoi veprimtarinë e shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë gjatë shfarosjes nga nazistët. Topalli vlerësoi në fjalën e saj se, shqiptarët mbrojtën edhe me kërcënim të jetës së tyre, me qindra hebrenj, të ardhur nga vende të ndryshme dhe nuk i dorëzuan qoftë dhe një të vetëm, forcës së të keqes.
Ajo tha se shqiptarët i treguan botës historinë e kundërt të së keqes dhe urrejtjes.
“Shqiptarët dëshmuan virtytin dhe aftësinë e njeriut për të bërë mirë. Dhe kjo është histori shqiptare. Histori shqiptare e humanizmit, guximit dhe besës”.
Duke e vlerësuar mbrojtjen e hebrenjve nga populli dhe autoritetet shqiptare të kohës si një fenomen unik, Kryetarja e Kuvendit, theksoi se, “shqiptarët jetonin në nivelin më të lartë të etikës njerëzore! Por, shqiptarët kishin kodin më të lartë moral, ‘Besën’”, tha ajo.
Ndërsa veçoi se gjatë gjenocidit nazist, shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre.
“Shqiptarët nuk dorëzuan asnjë hebre, pavarësisht rrezikut. Pak i njohin sakrificat që kanë bërë shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë”, tha Topalli.
Ajo theksoi më tej se 40 e ca vjet më vonë, në Kosovë, ishin shqiptarët “të përndjekurit” e Ballkanit…
“Dhe bota e lirë, me vendosmëri, në emër të të njëjtave parime që ne sot kujtojmë, u doli zot!”, theksoi më tej kryetarja e Kuvendit.
Më pas seanca vijoi me shfaqen e dokumentarit “Besa”, premiera e të cilit u shfaq në Holocaust Memorial Museum, Washington DC, gjatë vizitës së para pak ditëve të kryeministrit Berisha në SHBA.
Në përfundim të ftuarit vizituan ekspozitën me dokumente origjinalë të arkivit të shtetit për mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri.