Qeveria, nxitje konkurrencës ndaj biznesit
“Pas një debati mes qeverisë dhe kompanive telefonike në vend, është bërë e mundur ulja e tarifës të telefonisë celulare”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se pas një debati mes qeverisë dhe kompanive telefonike në vend është bërë e mundur ulja e tarifës të telefonisë celulare në vend. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka me qëllim nxitjen e konkurrencës së lirë dhe të ndershme. “Në përpjekjet tona kemi bërë e do të bëjmë gjithçka që në Shqipëri të funksionojë konkurrenca e ndershme. Unë do t’ju jap sot një shembull të funksionimit të saj, fusha e komunikimit. Kjo fushë është një nga fushat më jetike në veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë e të mbarë botës. Komunikimi e informimi janë një e të pandarë. Komunikimi dhe revolucioni i madh që ka njohur kjo fushë, në 20 vitet e fundit përbën ndofta edhe tiparin më thelbësor të zhvillimeve në rrafshin jo vetëm ekonomik, por edhe në rrafshin social e më gjerë. Kur mendon se shqiptarët disponojnë sot, një shkallë të telefonisë mobile 180 për qind, një nga më të lartat në Europë, do të thotë se ata përfitojnë gjerësisht nga mjetet dhe mundësitë e reja të komunikimit”, tha ai. Kreu i qeverisë theksoi se komunikimi dhe informacioni kanë shënuar një revolucion të madh në 20 vitet e fundit në rrafshin ekonomik dhe atë social. Berisha tha se uljet që janë bërë në tarifat celulare janë nga më spektakolaret, duke krijuar kështu edhe lehtësim për çdo qytetar shqiptar. “Në përpjekjet tona kemi bërë e do të bëjmë gjithçka që në Shqipëri të funksionojë konkurrenca e ndershme. Unë do t’ju jap sot një shembull të funksionimit të saj, fusha e komunikimit. Kjo fushë është një nga fushat më jetike në veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë e të mbarë botës. Komunikimi e informimi janë një e të pandarë. Komunikimi dhe revolucioni i madh që ka njohur kjo fushë, në 20 vitet e fundit përbën ndofta edhe tiparin më thelbësor të zhvillimeve në rrafshin jo vetëm ekonomik, por edhe në rrafshin social e më gjerë. Kur mendon se shqiptarët disponojnë sot, një shkallë të telefonisë mobile 180 për qind, një nga më të lartat në Europë, do të thotë se ata përfitojnë gjerësisht nga mjetet dhe mundësitë e reja të komunikimit. Dy-tre vjet më parë pati një debat midis qeverisë dhe kompanive të mëdha të telekomunikacionit. Unë dua t’i përgëzoj sot dhe dua t’ju jap edhe disa të dhëna, pasi nuk është vetëm përdorimi i celularit që është rritur 180 për qind, por ka një përmbysje të madhe të çmimeve, në këtë sektor jetik për informimin, për të vërtetën. Asgjë nuk është e lidhur më shumë me të vërtetën, sesa e drejta e informimit. Po jap një shumatore të të dhënave të çmimeve të vitit 2005 dhe të dhjetorit të vitit 2011. Janë uljet më drastike, më të ndjeshme. Për thirrjet brenda rrjetit, në vitin 2005, çmimi ka qenë 42 lekë dhe ka zbritur në 11.3 lekë, duke u ulur me 3.7 herë; Për thirrjet nga telefonia mobile drejt rrjetit fiks ka qenë 53 lekë, sot është 11.1 lekë, duke u ulur me 4.8 herë; Për thirrjet drejt rrjeteve të tjera celulare ka qenë 58 lekë, sot është 13 lekë, duke u ulur me 4.4 herë; Për thirrjet ndërkombëtare ka qenë 141 lekë, sot janë 63 lekë, duke u ulur me 2.2 herë. Të mos harrojmë se të gjitha këto janë shuma që mbeten në xhepat e kontot e qytetarëve shqiptarë dhe që mungojnë në kontot e arkës publike të Ministrisë së Financave, por që me këtë rast, është e lumtur. Po ashtu, ndryshimi shihet në krahasimin e programeve ofertuese dhe standardet celular në Shqipëri 2005-2011. Programe ofertuese me parapagesë, në vitin 2005 kishte gjithsej 5 programe, sot janë 12 programe, ose 2.4 herë më shumë. Programe ofertuese për telefoninë mobile me kontratë ishin gjithsej 5, sot janë 62 programe, ose 12.4 herë më shumë, një rritje prej 1140 për qind. Të gjitha këto janë ulje çmimesh. Programe standarde me parapagesë ishin 4, sot janë 8 programe. Programe standarde me kontratë ishin 8, sot janë 60 programe, një rritje prej 7.5 herë, ose 650 për qind. Në total, në vitin 2005 ka pasur gjithsej, në të gjitha rrjetet, 22 programe ofertuese, me kontratë e parapagesë. Sot janë 142 programe të tilla, me një rritje prej 556 për qind. Siç e shihni, në një nga fushat më sensitive të shpenzimeve ka një ulje ndër më spektakolaret, një lehtësim për çdo qytetar shqiptar. Sigurisht, unë kam fjalë të mira e falënderime si për Entin Rregullator dhe funksionimin e tij, ministrin mbikëqyrës të këtij sektori dhe për kompanitë, operatorët. Shqipëria ishte vend me çmime të papranueshme, por tani qytetarët shqiptarë e marrin këtë shërbim me çmime 2-4 herë më të lirë”, theksoi Berisha. Ai ka kujtuar se Posta Shqiptare po ngre me shpejtësi të gjithë infrastrukturën dhe ajo do të importojë fluksin në sasitë më të mëdha të nevojshme do ta furnizojë me një çmim absolutisht shumë herë më të ulët se ky i operatorëve privat, ndërkohë që në 1710 pika në mbarë vendin do të marrin internet falas. Qeveria lehtëson investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për disa shtesa në vendimin “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”. Synimi i këtij vendimi, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është të nxisë investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme. Ky vendim propozon aplikimin e tarifës së përdorimit prej 1 euro kontrata, për truallin pronësi publike, për zhvillimin dhe stimulimin e projekteve për ndërtimin e burimeve të reja energjetike. Me anë të këtij vendimi rregullohen marrëdhëniet e përdorimit mbi truallin në pronësi publike, gjatë zbatimit të projekteve koncesionare në këtë sektor.
...