Basha: Procesi i liberalizimit të vizave, i suksesshëm
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e liberalizimit të vizave. Në një prononcim për mediat, ministri Basha theksoi se fluksi i qytetarëve të cilët kanë kaluar kufirin pas liberalizimit të vizave është normal dhe nuk mund të flitet për dyndje të mëdha.
I pyetur nga gazetarët për personat që janë kthyer nga pikat doganore, Basha theksoi se këta persona janë kthyer pasi kanë pasur probleme të mëparshme në vendet e zonës Shengen.
“Në kemi një raport të përditshëm. Deri dje në 12 të natës kanë kaluar në pikat doganore 11 723 persona. Është normale, nuk bëhet fjalë për ndonjë eksod ashtu siç ndokush mendonte”, tha Basha.
I pyetur për pretendimet e komisionerit të KE-së Dick Marty se Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimeve në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel, ministri Basha theksoi se i përmbahej deklaratave të tij të mëparshme.
Ndërkohë ditën e djeshme ministri Basha deklaroi se ai nuk kishte qenë asnjëherë në atë shtëpi.
“Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në asnjë shtëpi të verdhë siç pretendohet e aq më pak të kem përkthyer për zotërinë në fjalë. Në vitin 2004 unë nuk kam punuar për Tribunalin. Kam qenë në UNMIK përgjegjës për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe transferimin e kompetencave të UNMIK kësaj ministrie. Mbaj mend që zotëria është marrë në punë për të ndihmuar procesin e identifikimit dhe ekzaminimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe se fatkeqësisht në këtë kontekst akoma figurojnë 1800 qytetarë shqiptarë të cilëve nuk u janë gjetur akoma trupat”, ka deklaruar ditën e djeshme Basha.