Basha: Projekti i sheshit Skënderbej do të rishikohet
Në një intervistë për ABC News, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, flet për sfidat e para të punës së tij kur kanë kaluar vetëm 10 ditë nga marrja e detyrës. Kryebashkiaku tregon për grupet e punës, projektin për sheshin Skënderbej, trafikun, si dhe për arkën bosh të Bashkisë së Tiranës.
Sapo keni vënë këmbën në Bashkinë e Tiranës duket se puna ka nisur, zoti Basha, madje një punë që duket se ka nisur në shumë drejtime njëherazi. Që në ditët e para keni shpallur programin e 100-ditëshit të parë, i cili konsiderohet dhe themeli i një programi katërvjeçar. Cilat janë pikat që mendoni se vërtet do të realizohen brenda 100 ditëve?
Së pari është përshtatja e strukturës së Bashkisë, për tu angazhuar seriozisht dhe me potencial të plotë në ato çështje që ne kemi deklaruar parësore: punësimi, zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja, thjeshtimi i procedurave të Bashkisë në kontakt me qytetarët, por edhe në kontakt me biznesin. Përgatitja e punës për hartimin e planit urbanistik të Tiranës, një plan të munguar për një kohë të gjatë, ngritja e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe po kështu adresimi i disa problemeve të mëdha që qytetarët e Tiranës i kanë vuajtur me të padrejtë për një kohë të gjatë, siç është çështja e hipotekimit të banesave, por edhe premtime të tjera, siç është çështja e kartës së studentit, çështje që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Bashkisë karshi qytetarëve, ujësjellës-kanalizimin, infrastruktura parësore, probleme akute, siç janë trafiku dhe pasojat e tij te qytetarët dhe ambienti. Këto janë disa nga çështjet kryesore me të cilat ne po avancojmë në mënyrë të përditshme tashmë, me të cilat janë ngritur grupet e punës, ndonëse është gusht.
Zoti Basha, ai që konsiderohej handikapi më i madh i qeverisjes së kryeqytetit ka qenë mungesa e një plani urbanistik, të cilin ju e keni premtuar, mos gabohem, edhe me një përfaqësi japoneze, ku keni pasur një takim pikërisht për planin urbanistik. Kur thuhet plan urbanistik duket një projekt i vetëm, por përmban shumë projekte të tjera në vetvete, sepse ka një sërë projektesh që përmblidhen pikërisht brenda tij. Në mënyrën se si është trajtuar deri tani hapësira e kryeqytetit shqiptar, sa e lehtë është brenda këtij plani urbanistik të realizoni synimet tuaja me atë që keni premtuar?
Plani urbanistik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një zhvillim afatgjatë, për një zhvillim modern dhe me standarde europiane të qytetit, ku ka vend për interesat e të gjithë qytetarëve, ku zhvillimi nuk bëhet në funksion të grupeve të veçanta të interesit, apo për zgjedhjet e ardhshme, por bëhet për të gjithë qytetarët dhe për brezat e ardhshëm. Për këtë arsye është vendimi im që puna për planin urbanistik të nisë menjëherë. Për këtë qëllim po bëhet evidentimi i situatës aktuale, i partnerëve të përfshirë apo që do të përfshihen në këtë proces. I kapaciteteve që do të përfshihen nga ana e qytetit, duke përfshirë këtu edhe universitetet kryesore, ku urbanistika është një disiplinë akademike dhe besoj se jo më vonë se 15 shtatori ne do të dalim me një plan të qartë pune, i cili do të ketë synim kryesor përfundimin brenda 12 muajve të një plani urbanistik të plotë për të gjithë qytetin e Tiranës. Të një plani urbanistik, i cili do të ngërthejë të gjitha interesat e qytetarëve, po do të ketë dy parime kryesore në thelb, vlerësimin e drejtë të pronës private të qytetarëve të Tiranës dhe fitimin sa më të madh të hapësirave publike, për sheshe lojërash për fëmijë, për parqe të gjelbra, për shkolla, kopshte, çerdhe, për institucione kulturore apo sportive, por edhe për rrugë më të gjera të standardeve europiane, me trotuare dhe ndriçim, pse jo, edhe me korsi për biçikleta.
Do të punohet paralelisht për ato që quhen projekte të mëdha, zoti Basha, sipas një lloji renditjeje? Kur flas për projektet e mëdha, flas për tramvajin e premtuar për tu realizuar për një kohë shumë të shkurtër për çlirimin e trafikut në kryeqytetin shqiptar dhe një sërë çështjes të tjera të këtij karakteri.
Plan-veprimi do të përcaktojë qartë të gjitha etapat, pra ne nuk do të mbetemi në pritje të përfundimit të studimit apo planit të plotë urbanistik, por do të përparojmë me disa projekte që janë në përputhje të plotë me planin afatgjatë të zhvillimit të Tiranës. Këtu, pa dyshim, hynë përgatitjet për tramvajin, këtu hynë disa ndërhyrje urbane, duke përfshirë këtu edhe zgjatimin e bulevardit në drejtim të lumit të Lanës dhe krijimin e një korridori verior të qytetit me potenciale të mëdha për zhvillim privat dhe publik. Natyrisht, edhe zhvillime të tjera, të cilat duke u konstatuar në përputhje me objektivat afatgjatë të zhvillimit, nuk kanë pse të mbesin në sirtar, por do të nisin menjëherë ekzekutimin.
A ka projekte të lëna pezull ose përgjysmë nga paraardhësi juaj, zoti Basha, dhe çfarë ndodh me to?
Natyrisht që po, disa prej tyre mendoj se janë para syve tanë, siç është situata në sheshin Skënderbej. Unë e di që qytetarët përballen me këtë vështirësi prej kohësh. Problemi është që me marrjen e detyrës së kryetarit të Bashkisë dhe me prezantimin e situatës me këtë projekt, vura re se projekti aktual nuk i jep një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së trafikut, pra nuk ka asnjë nënkalim apo by pass që do të çlironte situatën e trafikut, siç është sot. Ky është një problem i madh, pasi do të thotë se edhe pasi projekti të përfundonte, situata e trafikut nuk do të përmirësohej dhe e kuptoj që ky do të ishte një problem i madh për qytetarët e Tiranës. Në këtë kuadër duhen marrë disa vendime të shpejta. Po ta shikojmë situatën kështu siç është, vendimi i parë që duhet marrë është ai i çlirimit përkohësisht të trafikut. Natyrisht, ne nuk mund ta kthejmë sheshin në gjendjen e mëparshme, por çlirimi i përkohshëm i trafikut është një urgjencë me të cilën po merret Bashkia dhe ekipi im. Paralelisht me këtë do të ecet me një studim që do të rishikojë mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së trafikut në sheshin Skënderbej, qoftë kjo me ndërtimin e një nënkalimi me by pass, me parkime nëntokësore. E rëndësishme është që zgjidhja të jetë afatgjatë, të jetë një zgjidhje e cila respekton në mënyrë të plotë nevojat e qytetarëve sot, por që i qëndron jo vetëm 5 viteve të ardhshme që të fillojë prapë puna për ta gërmuar, por një zgjidhje që i qëndron 50 apo 100 viteve të ardhshme.
Flasim për përmirësimin e projektit aktual, apo devijohet nga ky projekt dhe a ka vështirësi ligjore në këtë drejtim?
Unë nuk mund të shprehem për këtë çështje. Ajo që mund të them është që do të veproj me dinamizëm për të përmirësuar trafikun në sheshin Skënderbej. Ndërkohë që inxhinierët, arkitektët që aktualisht janë të angazhuar me këtë projekt, po e rishikojnë edhe njëherë projektin për të bërë të mundur që në përfundim të tij të mos jemi në të njëjtën situatë siç jemi sot. Ky është rreziku që ekziston, por jemi në një situatë që trafiku të jetë i normalizuar edhe kur kryeqyteti të ketë shumë më shumë automjete.
Keni pezulluar lejet e ndërtimit për një kohë. Është një lloj moratoriumi, apo jo? Sa mendohet të zgjasë në kohë dhe pse është marrë si masë?
Siç folëm pak më parë për planin urbanistik, qëllimi i tij është të ketë ndershmëri në mënyrën e zhvillimit të qytetit, ndershmëri karshi pronës private, por edhe karshi brezave të ardhshëm përsa i përket hapësirës publike të qytetit. Qëllimi është që plani të përfundojë sa më parë, është një plan i munguar, i premtuar, i parealizuar. Është një plan që Tiranës i ka munguar, problemet e të cilit Tirana i vuan edhe sot. Brenda këtij viti do të ketë, ashtu siç kam premtuar, një moratorium për ndërtimet dhe ndryshimin e destinacionit