E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetra qytetarë në takim me kryebashkiakun Basha

TIRANË- Çështje të tilla si punësimi, problemet me pronën, strehimi, infrastruktura, ishin përgjithësisht shqetësimet që tiranasit i shprehën sot kryebashkiakut Lulzim Basha, i cili periodikisht, çdo të premte, do të zhvillojë takime me qytetarët.
Të renditur sipas një liste emërore, disa dhjetra qytetarë patën mundësi të bisedonin për problemet e tyre, drejtpërdrejtë, në disa minuta me Kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, që ishte i shoqëruar me specialistë të fushave të ndryshme, pjesë e administratës së Bashkisë.
Marsela Reka, një qytetare që jeton në zonën e Don Boskos, tha se "do t’i tregojë kryebashkiakut që nuk kam shtëpi, jetoj me katër fëmijët në një dhomë të vogël".
Edhe Shyqyrie Koçiu, një tjetër qytetare që priste në radhë, u shpreh se "jam e pastrehë. Shpresoj të gjej një zgjidhje, sepse nuk kam mundësi tjetër”.
"Kam ardhur për t’i bërë prezent Bashës problemin e pronës. Thuhet se po punohet për planin e ri urbanistik dhe jam e interesuar se si do të jetë ai në këtë drejtim", tha Fiqerte Mustafaj, banuese në minibashkinë nr.3 të Tiranës.
Elton Prifti, një i sapodiplomuar, që nuk kishte gjetur ende një vend stabël pune, tha se kishte ardhur të informohej për krijimin e task- forcës për punësimin.
Për evidentimin e problemeve të raportuara nga kryeqytetasit do të punojnë një grup specialistësh, të cilët do të nisin menjëherë trajtimin e tyre.
Kryeqytetasit tashmë çdo ditë të premte do të kenë mundësi të bisedojnë me kryebashkiakun Basha, i cili ashtu siç premtoi gjatë fushatës së tij, hapi dyert e Bashkisë për të pritur qytetarët, duke ripërsëritur premtimin se do të jetë i gatshëm të dëgjojë çdo problem dhe shqetësim të tyre.
Më 25 korrik, në ditën e betimit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Basha iu drejtua anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, duke premtuar se do ta bëjë Tiranën një qytet më të mirë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›