E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Qendra ditore ne cdo njesi te Tiranes dhe transport publik falas per te moshuarit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi sot qendrën ditore për të moshuarit në Njësinë 9 në kryeqytet, qendër që u rihap këto ditë falë investimeve të Bashkisë. Në ditën ndërkombëtare të moshuarve, Basha tha se Bashkia e Tiranës do të ketë në vëmendje brezin e tretë, duke shtuar qendra të tilla në qytet, si dhe duke siguruar transport publik falas për pensionistët mbi moshën 65 vjeç.

Në këtë qendër ditore ofrohen çdo ditë shërbime për argëtimin dhe kalimin e kohës për afër 80 të moshuar.
“Z.Basha! Ju falenderoj që na krijuat këtë mundësi, për t’u takuar me ju. Gjithashtu, më lejoni që në emër të të gjithë pensionistëve, t’ju uroj që u vutë në krye të Bashkisë së Tiranës. Ju e merrni Tiranën në një gjendje të vajtueshme, megjithatë populli i Tiranës e ka të qartë këtë dhe nuk mjafton një mandat, por duhen disa mandate, prandaj urojmë që bashkë me këtë, të jenë edhe disa mandate të tjera, që ju ta bëni Tiranën, ashtu siç keni premtuar”, u shpreh një prej të moshuarave në këtë qendër.

Më poshtë, mesazhi i plotë i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha:
“Krijimi i qendrave të tilla në të gjithë territorin e Tiranës, mbetet një objektiv i rëndësishëm i Bashkisë në drejtimin tim dhe unë sot dua t’u them të moshuarve, në të gjithë minibashkitë e tjera të kryeqytetit, se brenda qershorit të vitit të ardhshëm, ne do të hapim të paktën pesë qendra të tilla anembanë qytetit të Tiranës.

Ju keni përkushtuar jetën tuaj, keni sakrifikuar shumë për rritjen e brezit të ri, të fëmijëve tuaj, në një kohë të vështirë, në një kohë kur sakrificat që bëjnë sot prindërit për fëmijët e tyre janë një e pesta, një e dhjeta apo një e njëqinda e sakrificave, që u është dashur juve të bëni, sepse kohët kanë qenë shumë të vështira, prandaj është jo vetëm detyrim, por është edhe një kriter elementar i funksionimit të një shoqërie normale, që brezi ynë të kujdeset për ju në çdo kuptim, për prindërit në familje, kur kanë mundësi apo në kuptimin shoqëror, për të siguruar për ju, një mbarëvajtje sa më të mirë të ditës tuaj.

Unë e di shumë mirë që problemet janë të shumta, kryesisht ekonomike dhe e di që Bashkia apo kushdo tjetër, nuk mund t’i lehtësojë ato, as me një qendër, as me pesë qendra. Po kështu, besoj se biem dakord, nëse ne themi se kujdesi për moshën e tretë, kujdesi për nënat dhe baballarët tanë, kujdesi për gjyshërit e gjyshet tona është një prioritet dhe e vëmë këtë thënie në jetë, ne mund të lehtësojmë në mënyrë të konsiderueshme, barrën e problemeve me të cilat ju përballeni ditë për ditë dhe t’i bëjmë ditët tuaja pak e nga pak më të bukura se ç’janë. Për këtë arsye, kujdesi i Bashkisë nuk do të mungojë në këtë qendër, për të krijuar këtu një atmosferë sa më pozitive, sa më të këndshme, që ju të kaloni kohën tuaj, të takoheni me njëri-tjetrin, pse jo të qani hallet dhe të largoheni pak më të kënaqur se ç’erdhët.

Unë nuk e kam harruar premtimin tim tjetër, së shpejti do të mbledh të gjithë organizatat e transportit publik në Tiranë dhe do të dekretoj transport publik falas për të gjithë pensionistët mbi 65 vjeç. Këto lehtësi sociale janë një detyrim i yni dhe po kështu, ne do të mbetemi të përkushtuar për të punuar për qëllimin tonë kryesor, më shumë zhvillim ekonomik, më shumë punësim për bijtë e bijat tuaja, në mënyrë që kujdesi për ju, të jetë i natyrshëm, të jetë i përditshëm dhe të jetë i mbështetur fort tek punësimi, tek gjenerimi i të ardhurave ekonomike, të cilat mund të ndodhin vetëm nëse Tirana ka ritmet e duhura të zhvillimit ekonomik dhe ky mbetet prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës dhe i imi si Kryebashkiak.

Ju garantoj se unë do të punoj natë e ditë, së bashku me administratën time, që çdo premtim që ju kam dhënë, ta bëj realitet brenda kohës sa më të shkurtër të mundshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›