Berisha ofron kompromis, por opozita nuk del nga kutia

Kreu i qeverisë bën të ditur se ngërçi politik po shkon drejt zgjidhjes. Ndërkohë, në emër të PS-së, Arta Dade, i ka rënë ofertës për kompromis me shkelm, duke konfirmuar mungesën e vullnetit për të dalë nga kutia ku qëndron e mbyllur prej mëse një viti. Duke konsideruar si parësor integrimin e Shqipërisë në BE, Berisha kujtoi se kryetari i opozitës duhet të pranojë dialogun dhe të njohë zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat u çertifikuan nga Brukseli dhe organizmat ndërkombëtare të administrimit të votës
Kreu i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha ka deklaruar edhe njëherë se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian. Gjatë fjalës së tij të rastit në konferencën e ambasadorëve shqiptarë në botë, kryeministri Berisha vërejti se Shqipëria ka shënuar progres të madh në rrugën e integrimit, duke veçuar këtu realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe kursin shembullor të reformave në vetëm 5 vite.
Duke u ndalur gjerësisht te qëndrimi i opozitës kryeministri u shpreh se mbetet e papranueshme prepotenca e pabazë e Partisë Socialiste, lidhur me pretendimet e ngritura për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, ndonëse u shpreh i gatshëm për nisjen e dialogut konstruktiv mazhorancë-opozitë. Sipas kryeministrit, janë bërë disa propozime konkrete, të cilave shumë shpejt do t’u jepet përgjigje përfundimtare.
“BE përbën një projekt që ka nga shqiptarët mbështetjen më të madhe se çdo projekt tjetër. Shqipëria ka shënuar progres të madh, zhvilloi zgjedhje të lira e të ndershme. Pa këtë mekanizëm, integrimi do ishte një horizont që largohej prej tyre. Pavarësisht debateve, asnjë qeveri, asnjë institucion nuk ka vënë në diskutim se shqiptarët në 28 qershor shprehën vullnetin e tyre lirisht. Duke theksuar këtë, qeveria në asnjë rrethanë nuk lejon arrogancën, indiferencën apo prepotencën ndaj pretendimeve të opozitës. Jo! Kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën. Disa propozime janë bërë. Mendoj se në këto propozime, me frymën e kompromisit, mund t’i jepet përgjigje përfundimtare, në mënyrë të ndershme, të gjitha pretendimeve. Nuk është çështja këtu e një kundërshtie siç kërkojnë ta paraqesin dashakeqës të kimizmit midis dy liderëve. Absolutisht jo! Me liderin e opozitës kam ndërmarrë reformat më të thella në historinë e karrierës time politike. çështja është në qëndrimin ndaj standardeve të Kopenhagenit, ndaj institucioneve, Kushtetutës, ligjeve dhe transparencës. Shqipëria disponon të gjitha mundësitë për t’i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha çështjeve politike të brendshme që mund të ngrihen. Institucionet e vendit janë në një proces konsolidimi dhe është kusht përcaktues në kriteret e Kopenhagenit konsolidimi i institucioneve dhe respektimi i tyre. Reformat vazhdojnë me ritme të shpejta. Liritë dhe të drejtave e qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet kanë njohur dhe njohin një ridimensionim më të madh. Në këtë fushë përmirësime substanciale janë bërë në të gjitha aspektet”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit i kërkoi diplomatëve të pasurohen në dije në fushën ekonomike, duke iu sugjeruar Master në Ekonomi, pasi siç tha kryeministri, interesi kombëtar, si interes i integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, kërkon që diplomacia shqiptare në tërësinë e saj të vazhdojë të konsolidojë si përparësi të madhe drejtimin ekonomik. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha iu ngarkoi si detyrë themelorë ambasadorëve, promovimin e Shqipërisë në botën e gjerë.
“Drejtimi ekonomik, zhvillimi i këtij drejtimi, intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike është rruga më e shkëlqyer, me e sigurt, e konsolidimit të marrëdhënieve të mira, shumë të mira dhe miqësore me vendet e tjera. Dashuritë janë eterike, marrëdhëniet ekonomike janë ato të cilat afrojnë jo vetëm qeveritë, por afrojnë ekonomi, qytetarët, janë ato të cilat me të vërtetë krijojnë baza solide për bashkëpunim intensiv dhe të gjithanshëm. Në këtë kontekst, duke shprehur gjithë respektin e madh për ju, do t’ju sugjerojë që të konsideroni një Master në ekonomi, pavarësisht nga fushat nga të cilat ju jeni angazhuar në diplomaci. është jetike që ju, kudo që jeni, të promovoni potencialet e mëdha ekonomike të këtij vendi që në hartë është i vogël, por në realitet është një shembull pozitiv në rrafshin ekonomik, është një vend me potenciale shumë të mëdha. Promovoni të gjitha arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe ju keni motive reale”, deklaroi më tej, kryeministri i vendit, Berisha.
Duke u ndalur te situata ekonomike, kryeministri kujtoi se Shqipëria ka qenë ndër dy vendet me rritje ekonomike në Evropë, në kushtet e një krize të egër botërore. Sipas Berishës, kjo u bë e mundur falë dyfishimit të eksporteve shqiptare, të cilat sollën një hov të vërtetë të bilancit tregtar të vendit dhe shkurtimin e shpenzimeve administrative.
“Vitin që kaloi, në kulmin e një krize, ne kemi qenë ndër dy vendet me rritje ekonomike në Evropë. Ne kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Këtë vit ju garantoj se rritja do të jetë akoma më e madhe. Eksportet shqiptare kanë rritje të paprecedentë. Rritja e tyre në tërësi është 66 për qind. është viti i parë në të cilin ne regjistrojmë një hov të vërtetë në drejtim të bilancit tregtar të vendit. Stabiliteti makroekonomik është i garantuar. Qeveria, për një kujdes të veçantë, shkurtoi me 25 për qind shpenzimet në muajin korrik”, tha Berisha.
Kryeministri foli dhe për turizmin, duke theksuar se është shndërruar në një nga degët kryesore të ekonomisë. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë premtoi rritjen e investimeve dhe shndërrimin total të infrastrukturës.
Për sa i takon zhvillimeve rajonale, kryeministri Sali Berisha tha se diplomacia shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.
“Diplomacia shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për të promovuar njohjen e mëtejshme të Kosovës. Vendet e Quintit janë thellësisht të angazhuara. Kosova është një çështje botërore në këtë rrafsh, por ne do të përpiqemi të luajmë rolin tonë, të japim mbështetjen tonë, të bashkërendojmë të gjithë përpjekjet tona dhe të vendeve mike, pasi njohja e pavarësisë së Kosovës nga vende që nuk e kanë njohur është një kontribut real madhor i tyre për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.