Basha Qytetaret jo me peng i indiferences se disa subjekteve ndertuese
“Bashkia e Tiranës, unë personalisht jemi të vendosur dhe seriozë në mbajtjen e premtimit të hipotekimit të plotë të të gjithë banesave të pahipotekuara, por të ndërtuara sipas Legjislacionit në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe si provë e këtij serioziteti, ndonëse përballë vështirësish jo të pakta, administrata e Bashkisë ka finalizuar punën për lejet e përdorimit për 33 objekte, të cilat do i dorëzohen sot 33 subjekteve ndërtuese, besoj sot të pranishme në këtë sallë, që kanë ndërtuar në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe kanë dhënë në përdorim 1853 familjeve tiranase, shtëpitë ku ato banojnë sot”, vuri në dukje Basha
Në po këtë linjë, kryebashkiaku vlerësoi se “mbi 700 milionë euro kapital po shkrihet si rezultat i këtij procesi dhe shkrirja e plotë e kapitalit të ngurtësuar apo “të ngrirë”, si rezultat i papërgjegjshmërisë së deritanishme apo deri para pak kohësh është një lajm shumë i mirë, jo vetëm për tregun bankar, jo vetëm për ju si ndërtues, por për të gjithë ekonominë e qytetit”.
Gjithashtu Basha theksoi se Bashkia e Tiranës ka përfunduar punën edhe për rreth 27 dosje, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për paisjen me këto leje. Finalizimi i këtij procesi, vetëm për këtë grup prej 27 dosjesh, do të bëjë të mundur hapjen e rrugës për hipotekimin e mbi 920 apartamentesh banimi, një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 133.000 m2 ndërtim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, se Bashkia nuk do të lejojë penalizimin e qytetarëve nga papërgjegjshmëria e disa subjekteve ndërtuese, të cilët nuk kanë përfunduar dosjet e tyre për afro 130 objekte, me mbi 2000 apartamente.
“Unë i bëj një thirrje këtyre ndërtuesve, sot nga kjo foltore, nga ky forum që përfaqëson interesat tuaja, që në këtë kuadër dhe në këtë proces të merrni përgjegjësitë tuaja dhe t’i japim fjalës “partneritet”, kuptimin e vërtetë dhe jo formal. Në punën tonë udhëhiqemi nga ligjet por udhëhiqemi edhe nga morali. Është e pamoralshme të paraqiteni në dyert e Bashkisë vetëm kur keni nevojë, vetëm për të zgjidhur një problem tuajin dhe atëherë kur kërkohet të zgjidhni problemet e një kolektivi të tërë klientësh apo ish-klientësh që kanë paguar për banesat e tyre, ta kemi të vështirë t’ju gjejmë, me celularë, e-mail, adresë apo me korrierë”, u shpreh Basha.
Parë në këtë këndvështrim, Basha deklaroi se “ky nuk është partneritet dhe kjo pa dyshim nuk do të shkaktojë bllokimin e procesit, por do të detyrojë Bashkinë e Tiranës të devijojë më shumë burime njerëzore e financiare, të angazhojë kolaudatorë privatë me fondet e veta, që natyrisht janë fonde të taksapaguesve dhe fondet tuaja, për të përmbyllur një proces që mbeti i hapur, për shkak të papërgjegjshmërisë të disave”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur se edhe Plani Urbanistik është drejt fundit. Ky Plan, sipas zotit Basha është hartuar në kushtet e transparencës më të madhe dhe të një metodike që ka angazhuar dhe përfshirë të gjithë grupet e interesit. Drafti i Planit Urbanistik do të bëhet publik gjatë muajit maj.
“Ky plan do të bëjë të mundur që ndërtimet në këtë qytet të mos bëhen sipas dëshirës së Kryetarit por duke u njohur, konsultuar dhe marrë në konsideratë të gjithë vërejtjet tuaja, të përfaqësojë me të vërtetë atë që ne sot dëshirojmë për qytetin, si qytetarë të përgjegjshëm për sot por edhe për brezat që vijnë.
Përfundimi i Planit do i japë fund një “sage” të gjatë, të lodhshme, jo transparente, të kushtueshme e tejet të politizuar të viteve të fundit dhe është pikërisht ky Plan, çelësi apo sekreti i procedurës së re të aplikimit për leje ndërtimi Të jeni të sigurtë se procedura 55-ditore do të jetë një nga surprizat e para të këndshme që transparenca, parashikueshmëria e siguria e Planit do ju ofrojë jo vetëm ju si ndërtues, pronarëve anembanë Tiranës, por të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke vënë kështu pse jo, një gur themeli në ambicjen tonë për ta kthyer Tiranën, në qytetin më miqësor për ndërtimin dhe për biznesin anembanë rajonit tonë e më gjerë. Ajo çka unë garantoj është që në Bashkinë e Tiranës dyert nuk do të jenë më kurrë të mbyllura, zyrtarët nuk do të jenë më kurrë shurdhë-memecë dhe Kryetari Bashkisë nuk do të jetë më askush tjetër përveçse garantit të zbatimit të ligjit dhe jo një pengues i disave dhe nxitës i disa të tjerëve”, deklaroi Basha.
Konkursi për Bulevardin e Ri të Tiranës ka qenë një tjetër pikë ku është ndalur Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Zoti Basha bëri me dije se faza e konsultimit me publikun po shkon drejt përmbylljes.
“Dy finalistët së shpejti do të rikthehen me plotësimin e informacionit që është kërkuar dhe do të paraqesin para grupit strategjik dhe para mediave edhe njëherë projektet e tyre para se vendimarrja finale të përcaktojë fituesin, i cili do të ngarkohet menjëherë për hartimin, si hap të parë të projektit teknik për bulevardin, projekt i cili do të fillojë nga ekzekutimi brenda këtij viti. Hapja e kësaj arterje jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetin e Tiranës është parathënia e një pranvere të re për industrinë e ndërtimit në Tiranë, e një pranvere që nuk do të zgjasë sa një pranverë natyrale, në qoftë se ne e trajtojmë atë me kujdes dhe në përputhje me standartet e një zhvillimi të qendrueshëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, brenda javës që vjen, Drejtoria e Prokurimeve në Bashkinë e Tiranës do të shpallë projektet e para për buxhetin e vitit 2012.
Në përgjigje të kërkesës së ndërtuesve, që zoti Basha të jetë ambasador i tyre, Basha theksoi se ai është betuar të jetë ambasador i interesit publik të qytetarëve të Tiranës.
“Sigurisht betimi im është që të jem ambasador i interesit publik i qytetarëve të Tiranës dhe kjo as përjashton ju por as nuk mund të më kthejë mua, në një ambasador të monopolizuar të vetëm këtij grupi dhe ju garantoj se sa herë interesi publik i qytetarëve të Tiranës përputhet me interesin e këtij grupi dhe më gjerë dhe besoj që kjo të jetë sa më e shpeshtë, do ta ndjeni mbështetjen dhe inkurajimin tim të plotë” vuri në dukje Basha.