Basha: Qytetarët jo më peng i papërgjegjshmërisë së ndërtuesve dhe mos zbatimit të ligjit nga administrata
Drejt hipotekimit 36 objekte të ndërtuara me shkelje, përfitojnë 8 mijë qytetarë
Bashkia e Tiranës i hap rrugë hipotekimit të 36 objekteve të para, të ndërtuara gjatë viteve 2001-2008, me shkelje të lejes së ndërtimit. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në prani të kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, z. Avenir Kika dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka ka firmosur lejet e përdorimit për 2 mijë apartamente me përfitues direkt 8 mijë qytetarë të Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka garantuar edhe njëherë për vendosmërinë tij, në përfundimin sa më parë të procesit të hipotekimit, duke bërë në këtë mënyrë pronarë të shtëpive të tyre, qytetarët e Tiranës.
“Procesi është një shenjë e qartë e vullnetit, për t’i shkuar deri në fund premtimit që qytetarët e Tiranës të mos mbeten peng i papërgjegjshmërisë, nga njëra anë e ndërtuesve që ndërtuan duke shkelur kushtet e lejes dhe nga ana tjetër natyrisht përgjegjësisë së pashmangshme të pushtetit vendor, për të kontrolluar dhe disiplinuar punimet gjatë fazës së punimeve.
Në përputhje me angazhimin tonë si bashkia më e madhe në kryeqytet, që ka edhe problemet më të mëdha të mbartura në këtë kategori ndërtimesh, që ka edhe procesin më të madh të pambyllur të hipotekimit të këtyre pronave të qytetarëve të saj, ne u angazhuam me qeverinë në një proces i cili kulmoi nga pikëpamja normative me aktin normativ të qeverisë që i hapi rrugë hipotekimit të këtyre objekteve.
Kam kënaqësinë që sot, afro katër javë pas miratimit të këtij akti normativ nga qeveria, të cilin po ashtu pashë që u miratua në Parlament me vullnet të plotë, ne të dorëzojmë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës 36 objekte që përfaqësojnë afro 2000 apartamente, pra afro 8000 banorë të kryeqytetit, që nga dita e sotme mund të ndjekin procedurat përfundimtare pranë ZRPP së Tiranës, për t’u pajisur me tapitë e shtëpive të tyre” – u shpreh z. Basha.
Akti normativ i hap rrugën hipotekimit të afro 260 objekteve me 11 mijë apartamente të ndërtuara me leje por leje të shkelura gjatë procesit të ndërtimit. Përfundimi i këtij procesi bën pronarë të shtëpive të tyre rreth 50 000 qytetarë të Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka nënvizuar vështirësinë e hasur për 100 objekte, ndërtuesit e të cilëve sot nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi për mbylljen e këtij procesi. Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se ka gjetur mirëkuptimin e Shoqatës së Ndërtuesve dhe Dhomës së Tregtisë, që anëtarët e tyre të marrin përsipër kolaudimin e këtyre objekteve, në mënyrë që të mos penalizohen qytetarët.
“Duke dhënë këto 36 leje përdorimi, që u shërbejnë drejtpërdrejt 8000 qytetarëve të Tiranës, ne kemi hapur rrugën edhe për trajtimin e afro 200 objekteve të tjera që mbeten. Për afro 100 prej këtyre objekteve, jemi në proces të përfundimit të dokumentacionit. U bëj thirrje subjekteve ndërtuese të këtyre 100 objekteve të procedojnë pa vonesë, për të përmbushur hapat e fundit që i ndajnë nga marrja e lejes së përdorimit. Nga ana tjetër, për afro 100 subjekte të tjera ndërtuese që përfaqësojnë 100 objekte të tjera ndërtimi, kemi hasur një problematikë e cila konsiston në mungesën fizike, juridike apo mungesën totale të vullnetit për të ndjekur hapat e nevojshëm. Kjo, natyrisht nuk u bën nder as atyre që dikur morën lejen për të ndërtuar në territorin e bashkisë, as industrisë së ndërtimit në Tiranë, në tërësi dhe penalizon banorët. Kam kënaqësinë të konstatoj, pas takimit që pata sot me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, se ka një ndërgjegjësim dhe një dëshirë të anëtarëve të tyre, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi nëpërmjet kolaudimit, ashtu siç e ka hapur rrugën edhe ndryshimi i fundit i bërë nga qeveria para disa muajsh dhe procedimit edhe me këto dosje, pa penalizuar qytetarët ndonëse ndërtuesit janë në kërkim (në kuptimin metaforik të fjalës, pavarësisht se dikush mund të jetë edhe në kuptimin ligjor).
Për këtë, dua të falënderoj Shoqatën e Ndërtuesve të Tiranës, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, t’i siguroj se ky akt i cili ndihmon iniciativën e Bashkisë së Tiranës, për të pajisur me leje përdorimi dhe eventualisht me hipotekë të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë blerë apartamente në objekte të ndërtuara me leje. Shihet si një shenjë e partneritetit të drejtë, të hapur, transparent dhe të munguar, për interesin jo të Bashkisë së Tiranës, as të Kryetarit të Bashkisë të Tiranës por për interesin e banorëve të kryeqytetit, për interesin e tregut të kapitalit, si një treg i rëndësishëm për ekonominë e qytetit dhe punësimin e qytetarëve të Tiranës dhe natyrisht për ndërtimin e një marrëdhënieje më të fortë mirëbesimi reciprok, të bazuar në ligj, transparencë dhe në zbatim të detyrimeve të ndërsjella midis sektorit publik dhe sektorit privat në tërësi e në veçanti në këtë rast, të sektorit të ndërtimit” – theksoi kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka informuar edhe mbi ecurinë e deritanishme të procesit të hipotekimit. Janë 120 objekte të hipotekuara, një pjesë e madhe e të cilëve për vite me radhë nuk ishin pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për hipotekim nga Bashkia dhe 59 objekte të pajisura rishtas me leje përdorimi.
“Dua të risjell në vëmendje se ky hap është hapi i dytë në këtë proces i cili ka nisur prej kohësh, me afro 59 dosje të dorëzuara vetëm gjatë vitit 2012 tashmë, të proceduara pjesa më e madhe në Zyrën e Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Nga këto, 24 kanë përfunduar hipotekimin, 23 janë në proces të regjistrimit gjithsej 1500 apartamente. Bëhet fjalë për afro 6 mijë banorë që janë përfitues. 12 objekte nuk kanë aplikuar akoma pranë ZRPP, ndaj u bëj thirrje 12 subjekteve që përfaqësojnë këto 12 ndërtesa të larta me shumë banorë, të interesohen pa vonesë për të përmbyllur procesin e regjistrimit pranë ZRPP”, u shpreh z. Basha.