E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rajoni të shërbejë si pararojë e heqjes së barrierave

Ministrat e Brendshëm të vendeve të Evropës Juglindore, thirrje BE-së: “Të hiqen vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën në kohën më të shpejtë të mundshme”

Shtetet e Europës juglindore do t’i kërkojnë Komisionit Europian që të përshpejtojë procedurat për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Kjo ka qenë një ndër pikat e deklaratës së përbashkët të firmosur nga Ministrat e Brendshëm të rajonit tonë në përfundim të Konferencës së 7 ministrore mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë së kufijve në Europën Juglindore.

Kësisoj, ministeriali për bashkëpunimin në fushën e sigurisë së kufijve në Europën Juglindore konsideron të një rëndësie të veçantë heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Progresi në fushën e sigurisë së kufijve, në sigurinë e dokumenteve të identitetit dhe arritjet në luftën kundër kriminalitetit përbënin pjesën më të rëndësishme të raportimeve të vendeve të rajonit, ndërkohë nga të gjitha vendet u shpreh angazhimi dhe vendosmëria e plotë për të thelluar më tej bashkëpunimin ndër rajonal.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha në raportin që paraqiti evidentoi arritjet kryesore të Shqipërisë në fushën e sigurisë së kufijve dhe reformat e ndërmarra në këtë drejtim.

Basha përmendi si arritje shtrirjen dhe funksionimin e sistemit TIMS në të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, integrimin e këtij sistemi me sistemet e tjera, zgjerimin e përdorimit të këtij sistemi edhe për regjistrin për të huajt, monitorimin viziv të pikave të kalimit kufitar etj.

Për sa i përket bashkëpunimit me vendet fqinje, ministri Basha vlerësoi efektivitetin e shërbimeve të policisë kufitare të cilat kanë demonstruar me rezultate konkrete se mund të punojnë shumë mirë së bashku.

“Sot mesazhi ynë është se me të vërtetë krimi është transnacional, nuk njeh kufi, shtetësi apo kombësi, nuk ka pasaporte, por kufiri i pathyeshëm për ta është vendosmëria jonë për t’u përballur dhe për të fituar çdo betejë, kundër çdo fenomeni kriminal. Duke u ndalur tek vështirësitë aktuale të lëvizjes së lirë në rajonin tonë, ku qytetarët duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të shumta kufitare, ministri Basha u propozoi vendeve të rajonit të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një “Schengeni ballkanik” për të nxitur shkëmbimin më intensiv të mallrave, kapitaleve dhe ideve”, tha ministri Basha.

Pikërisht në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve, ministri i Brendshëm Lulzim Basha apeloi në fjalën e tij edhe për një vendim sa më të shpejtë të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

“Shqipëria si dhe Bosnje-Hercegovina janë në pritje te raportit te vlerësimit dhe vendimit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e tyre. Urimi i përfaqësuesit të Sekretariatit të Këshillit sot për tre vendet që tashmë kanë përfituar lëvizjen e lirë dhe për ato që pritet ta përfitojnë së shpejti, i bashkëngjitet kërkesave jo vetëm të dy vendeve tona për një vlerësim objektiv të shpejtë dhe pa vonesa të progresit të arritur në të gjitha fushat, por dhe kërkesave të përsëritura të Parlamentit Europian dhe të agjencive të tjera qeveritare dhe joqeveritare. Shpresojmë që kjo kërkesë e përsëritur në mënyra dhe forma të ndryshme nga ky ministerial këto dy ditë do të gjejë mbështetjen e duhur në javët dhe muajt në vazhdim për të përmbushur angazhimin e shprehur në rezolutën e Bashkimit Europian më 12 Nëntor të vitit që shkoi”, u shpreh ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Konferenca e shtatë Ministrore mbi Bashkëpunimin për Sigurinë e Kufijve në Europën Juglindore u përmbyll me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, ku ndër të tjera vendet pjesëmarrëse nxisin Bashkimin Europian të njohë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave dhe i bëjnë thirrje Bashkimit Europian të përshpejtojë vendimmarrjen për të liberalizuar regjimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën sa më shpejt që të jetë e mundur.

Aktualisht si për Shqipërinë ashtu edhe për Bosnjën kanë përfunduar inspektimet e ekspertëve europianë të cilët kanë parë në vend përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi. Brenda muajit prill pritet që Komisioni Europian të bëjë një raport vlerësimi në bazë të së cilit do të varet edhe vendimi që vendet anëtare të Bashkimit Europian do të duhet të marrin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›