E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, e marrë peng nga disa individë që kanë paguar për të marrë mandatin e deputetit

Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS, Ylli Manjani: Ata deputetë që janë në Kuvend, nuk përfaqësojnë elektoratin socialist

Kryetari socialist në detyrë Edvin Rama, i njohur si një afarist megaloman, akuzohet se ka bërë biznes me mandatet e deputetëve të PS-së që do të merrnin aprovimin e elektoratit më 28 qershor. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS, Ylli Manjani, deklaron se Partia Socialiste i ka dhënë fund bojkotit zyrtarisht, por në Kuvend janë deputetë që nuk përfaqësojnë elektoratin socialist. Sipas tij, futja e PS-së në kuvend dhe plotësimi i vendeve në komisionet e përhershme parlamentare e dëshmon më së miri fundin e bojkotit. Ai thekson se PS, pas 6 muajsh qëndrese iu përkul interesave të individëve që kanë investuar me para për të marrë mandatin e deputetit.

“Dje janë zënë për disa vende në komisionet e parlamentit. Më konkretisht sherri ishte midis disa të rinjve dhe disa të vjetërve se kush do shkojë në komisionin e ligjeve, në komisionin e jashtëm, kush do jetë në delegacionin e parlamentit të Këshillit të Europës e kështu me radhë. Edi Rama nuk ka pasur dhe nuk ka takat të mbajë peng jo vetëm PS, por edhe deputetët aktualë. Një pjesë e mirë e këtyre deputetëve kanë harxhuar para të thata për ta marrë atë mandat”, tha Manjani.

Manjani akuzoi liderin socialist Rama se në listat e hartuara prej tij para zgjedhjeve të 28 qershorit ka bërë që PS të mos përfaqësojë më elektoratin e saj, por interesa vetjake.

“Sot në grupin parlamentar të PS ka biznesmenë që nuk kanë lidhje me politikën dhe nuk kanë fytyre të bëjnë politikë sepse janë në konflikt interesi. Ka deputetë në PS sot që nuk i ka votuar populli. Sigurisht ka dhe një brez të ri, një grup të rinjsh të cilët janë pa përvojën e duhur. Ashtu siç ka dhe shtrembërime të tjera në përfaqësi. Olta Xhaçka është anëtare e kryesisë së G99. Nuk përfaqëson dot socialistët”, deklaroi Manjani.

Në fund Ylli Manjani nënvizon se kryetari socialist Edi Rama duhet të japë dorëheqjen nga PS në mënyrë që forca kryesore e opozitës t’i rikthehet normalitetit.

“Për mua, Edi Rama duhet të marrë përgjegjësitë që i jep detyra e kryetarit të partisë. Ai u rizgjodh pas humbjes së zgjedhjeve me kauzën se do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme dhe do të hapte kutitë. Asnjëra dhe as tjetra nuk ndodhi. Tani në qoftë se nuk do të mbajë mbi supe vulën e mashtruesit ordiner atëherë duhet të bëhet kryetar i PS dhe të japë dorëheqjen”, tha më tej, anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›