E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tashmë Prokuroria përballë dosjes “kartat e identitetit”

Prokuroria e Përgjithshme ka shansin që një herë të vetme, që të mos lejojë, jo të ribëhet pjesë e keqpërdorimit nga ana e PS-së, por as të mos e lejojë këtë parti, apo eksponentë të saj “të prerjes” Gramoz Ruçi apo Artan Gaçi, që të bëjë rolin e dublantit të saj.

Prej dy ditësh zhurmnaja e Granmoz Ruçit për karta identitetit, të pretenduara sipas tij, të prodhuara në disa raste më shumë se një për një person, po bën xhiron e zakonshme mediatike. Nga foltorja e Parlamentit kreu i grupit të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi tundi dy ditë më parë disa karta identitetit bashkë edhe me denoncimin për falsifikimin e tyre.

Denoncimi publik i Gramoz Ruçit është i mjaftueshëm për Prokurorinë e Përgjithshme që të fillojë një “hetim kryesisht”.

Precedentin e ka.

Sigurisht e ka krijuar vetë Prokuroria.

Sa për kujtesë, kemi precedentin Damir Fazlliç.

Për ata që nuk e mbajnë mend, u desh vetëm “alarmi” i dhënë nga Valentina Leskaj, ditën që Damir Fazlliç hyri në Shqipëri për herë të parë pas akuzave mediatike, që Prokuroria e Përgjithshme të inskenonte në kohën më të shkurtër të mundshme, një shoë më vete që nisi e përfundoi në Aeroportin e Rinasit, ndërsa zyrtarisht regjistroi edhe dosjen “Damir Fazlliç”.

Duke ju referuar precedentit “Damir Fazlliç” mjafton që organi i akuzës tashmë të “mbivendosë” denoncimin e Gramoz Ruçit mbi denoncimin e Valentina Leskajt dhe të regjistrojë zyrtarisht dosjen “kartat e identitetit”.

Motivimi për të bërë këtë gjë është shumë më i madh për Prokurorinë e Përgjithshme, nga “tërheqja prej hunde” që i bënë për dosjen “Damir Fazlliç”... Sepse, këtë herë nuk është më një gazetar që të rrahurit vend e pa vend e ka bërë normë, që përhap shpifje, trillime e sajesa, por është një kryetar grupi parlamentar, për më shumë i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri që artikulon një denoncim. Dhe jo vetëm kaq, por “akuzat” këtë herë nuk janë mediatike, por janë institucionale..., saktësisht të bëra nga foltorja e Parlamentit.

Ajo që është edhe më kryesorja, si rrallë ndonjë herë, ekziston edhe vullneti i gjithanshëm politik që Prokuroria të zyrtarizojë çeljen e dosjes “Karat e identitetit”. Sepse, në qoftë se Gramoz Ruçi e “konfirmoi” mbështetjen për organin e akuzës, duke e bërë denoncimin publik, nga foltorja e Parlamentit, po aq i gatshëm u tregua edhe Kryeministri Sali Berisha për atë që ky organ i akuzës të bëhet pjesë e hetimeve të “karatve identitetit”. Një qëndrim të tillë, PD-ja e rikonfirmoi edhe dje zyrtarisht, kur nëpërmjet zëdhënëses së saj kërkoi hetimin e pretendimeve të Gramoz Ruçit, bashkë edhe me verifikimin e falsifikimit dhe penalizmit të falsifikatorit...

Prokuroria e Përgjithshme duhet të nxitojë ta bëjë këtë sa më shpejt, jo aq për tu ngritur vetë në nivelin e misionit të saj, se sa për të mos i lënë shkas deputetit të PS-së Artan Gaçi, të mendojë e besojë, se ai di ta bëjë më mirë këtë punën e “verifikimit” të kartave të identitetit.

Për ndryshe, loja “hidh” Gramoz Ruçi “e prit” Artan Gaçi, do ta vërë edhe më shumë në pozitë Prokurorinë e Përgjithshme, përballë zgjedhjes së mundshme të saj, se kush nga këta e bën më mirë rolin e dublantit të saj dhe se anën e kujt duhet të mbajë në këtë lojë pothuajse “kungulleshkash”...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›