E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave për Shqipërinë nuk do të pengohet

Europarlamentarja sllovene Tanja Fajon, si dhe ministrat e jashtëm të Evropës Juglindore apeluan dje që të përshpejtohet procesi për heqjen e vizave për shqiptarët dhe të mos dëgjohen zërat dashakeqës në vend apo në rajon

Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, ka reaguar dje në lidhje me atë që është cilësuar si eksod i qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë përfituar nga liberalizmi i vizave drejt BE-së.

Në një deklaratë zyrtare, Fajon, shprehet se qeveritë e Serbisë dhe Maqedonisë duhet të sqarojnë qytetarët e tyre në lidhje me atë që quhet liberalizmin vizash. Ndërsa ka shtuar se procesi i heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën nuk duhet të pengohet.

“Lajmet e fundit për rritjen e numrit të strehimkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Belgjikë dhe Gjermani kanë krijuar dilema dhe drojë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Kërkoj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë jo vetëm për të përmbushur kriteret, por dhe t’i dërgojnë njerëzve një mesazh të qartë rreth asaj se çfarë do të thotë realisht liberalizimi i vizave. Politikanët duhet të ndalojnë menjëherë fluksin e emigrantëve të rinj që kërkojnë strehim në vendet e BE-së”, ka deklaruar Fajon.

Deklarata e europarlamentares sllovene, Tanja Fajon, vjen në kohën kur ka pasur rritje të numrit të kërkesave për strehim politik në vendet e BE-së nga banorët e Serbisë dhe Maqedonisë.

Nga dhjetori i kaluar banorëve të këtyre vendeve iu hoqën vizat për vendet e zonës “Shengen”. Ajo çfarë ka ndodhur me strehimkërkuesit nga Maqedonia e Serbia “në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”, përfundon deklarata e europarlamentares sllovene.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›