E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat e Jashtëm të 8 vendeve të BE-së: Të hiqen vizat me Ballkanin



Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kërkuan dje me anë të një letre zyrtare Komisionit Evropian, që të mos zvarrisë procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo letër dërguar në Komisionin Evropian, që u firmos prej ministrave të Jashtëm të Estonisë, Hungarisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, i është adresuar zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, dhe ministrit të Jashtëm çek, Karel Schwarzenberger, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës së radhës së BE-së. “Ne besojmë se vendimi i domosdoshëm për liberalizimin e regjimit të vizave duhet të merret menjëherë, sapo këto vende të përmbushin kërkesat dhe kriteret e kërkuara. Komisioni duhet t'i rekomandojë Komisionit Evropian që të shfuqizojë detyrimin për pajisjen me vizë të shtetasve të këtyre vendeve”, - thuhej në këtë letër. Kërkesa e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së shihet si një nxitje për vendet e tjera anëtare, për njohjen e progresit të arritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e etapave të parashikuara nga dokumenti “Roadmap” për liberalizimin e vizave. Një raport përfundimtar lidhur me këtë çështje do të prezantohet në mesin e muajit maj, kur Komisioni Evropian pritet të rekomandojë se cili nga vendet apo cilat vende të Ballkanit Perëndimor janë kualifikuar për të përfituar nga heqja e regjimit të vizave. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka deklaruar se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të mazhorancës së djathtë, shqiptarët do të udhëtojnë pa viza. Në rast se raporti del pozitiv, atëherë pritshmëria më e madhe është që në fillim të vitit 2010, do të hyjë në fuqi regjimi i lirë pa viza me vendet e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›