E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha-Rama lenë në ankth përkrahësit

11/05/2011  Vazhdon lufta e nervave në Tiranë, garë e ashpër mes dy kandidatëve

Garë e ashpër është regjistruar dhe ditën e djeshme, ku rezultati ka qenë tepër i ngushtë mes dy kandidatëve, dhe nga ku shihej se dhe një kuti mund të ndikonte në rezultat, i cili fiksohej në presje dhjetore kur flitej puna për përqindje. Përgjatë gjithë kohës shifrat fiksoheshin, në 48% për të dy kandidatit dhe luanin me plus minus shifrat dhjetore, duke shkaktuar dhe një lloj ankthi jo vetëm tek kampet politike, por edhe tek personat e interesuar për zgjedhjet e sidomos në Tiranë.

Luhatjet

Në rast se përgjatë ditës së hënë, kandidati i “Aleanca për të ardhmen” Rama kryesoi, natyrisht me një diferencë të lehtë, në orën 4 të mëngjesit të mëngjesit të djeshëm, u njoftua një kalim përpara i kandidatit “Aleanca për qytetarin” Lulzim Basha. Përgjatë gjithë ditës Basha ka udhëhequr rezultatin, ndërsa në orët e pasdites Rama fitoi terren duke arritur një diferencë të lehtë votash. Gjithsesi për çdo orë të ditës, janë vënë re ndryshime rezultati, apo përmbysje jo vetëm në rezultatin e përgjithshëm, por edhe në njësitë bashkiake, përveç dy zonave, asaj me numër 5 dhe asaj me numër 11. E para ka qenë përherë në avantazh për kandidatin Rama, ndërsa e dyta ka qenë gjithmonë në avantazh për kandidatin Basha. Ndërkohë avantazh të qëndrueshëm ka mbajtur dhe njësia numër 8, lagjja e kandidatit Basha, kur rezultati në favor të këtij të fundit përgjatë gjithë ditës ishte i dukshëm. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me disa zona që deri dje i kishte fituar PS. Kështu për shembull ka pasur përmbysje rezultati, në njësinë numër 4, në njësinë numër 2, në njësinë numër 9, e cila pas bllokimit rezultoi në një avantazh të lehtë për Lulzim Bashën, pas rifillimit të numërimit të votave.

Parashikimet

Duket se edhe sot do të jetë ditë numërimi votash, dhe duket e vështirë të nxirret një rezultat, apo të kemi një parashikim, në rast se vazhdohet me këto ndryshime siç u vunë re në dinamikën e ditës së djeshme. Një rezultat më të saktë mund ta kemi gjatë ditës së nesërme, megjithëse sërish duket se kjo është e vështirë, po të mendohet se po luftohet kuti më kuti për çdo votë. Natyrisht në krahasim me betejat që ka pasur Rama për Bashkinë e Tiranës, kjo duket të jetë më e vështira, për shkak se ai kandidon dhe për mandatin e tij të katërt në kryeqytet. Gjithsesi askush s’mund të bëjë një parashikim se si do ngjyroset Tirana në 2011-ën, pasi në këtë garë kanë dështuar dhe analistët më të mirë, apo institucionet më të mira të sondazhit.

Pas rifreskimit të rezultateve nga KQZ

Partitë mundohen të bllokojnë kundërshtarin në bastione

Edhe dje nuk kanë munguar incidentet për sa i përket bllokimit të KZAZ-ve në Tiranë. Përgjatë gjithë ditës ka qenë e bllokuar KZAZ e njësisë numër 9, KZAZ e njësisë numër 8, e cila dhe pas zhbllokimit të situatës nuk ka mundur ta përshpejtojë procesin. Sipas të dhënave nga kjo KZAZ kanë qenë komisionerët socialistë ata të cilën, me anë të pretendimeve të ndryshme nuk kanë pranuar përgjatë gjithë ditës të numërojnë kutitë. E bllokuar ndërkohë që prej orës 10 të mëngjesit ka mbetur dhe KZAZ që i përket minibashkisë numër 10. Madje në këtë minibashki është shkaktuar dhe një incident mes deputetëve të PS dhe policisë, të cilët tentuan të hynin me forcë në këtë qendër numërimi të votave. Nga ana e saj KQZ ka marrë një vendim të posaçëm për shkarkimin e komisionerëve në këtë qendër dhe zëvendësimin e tyre, por sërish deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme sërish nuk kishte filluar numërimi i votave. Në rast se situata vazhdon kështu pra me bllokime apo refuzime, nuk përjashtohet që të kemi kuti që të shkojnë për t’u numëruar në KQZ çka do të thotë se procesi mund të zvarritet edhe më shumë, ashtu siç ka një zvarritje artificial deri më tani, ku duket se partitë influencohen shumë nga të dhënat që rifreskohen në sitin e KQZ.

Socialistët ndërpresin punën pa shkak

Në orët e para të mëngjesit, komisionerët socialist kanë bllokuar punën në dy KZAZ që i përkasin njësive numër 10 dhe njësisë numër 6 në kombinat. Komisionerët e PS-së nuk kanë dhënë arsye se përse ka ndodhur ky bllokim, por thjeshtë sapo kanë parë se nga shkonte rezultati, kanë ndërprerë pa asnjë arsye punën e numërimit të votave. Sipas asaj çka shprehën komisionerët atje, puna është ndërprerë sapo komisionerët kanë parë se nga po shkonte tendenca e votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›