E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza, bllokim kamionëve e depozitave të naftës virgin

11/05/2011  Nafta “Virgin”, përpilohet lista e pasurive që do vihen nën masën e sekuestros preventive

TIRANE-Dhjetëra kamion çisternë, ambiente zyrash dhe disa depozita nafte që i përkasin kompanive “Fisheku” dhe “Euroil” pritet të sekuestrohen nga njësia antikorrupsion pranë prokurorisë së Tiranës. Kërkesa së bashku me listën e pasurive është përpiluar gjatë ditës së djeshme nga grupi hetimor që po kryen procedura hetimore lidhur me skandalin e kontrabandimit të naftës virgine. Kërkesa pritet të depozitohet brenda kësaj jave në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës. Nëpërmjet këtyre veprimeve, njësia Task-Forcë kërkon vendosjen e sekuestros prenventive të dhjetëra pronave që i përkasin dy kompanive të naftës “Fisheku” dhe “Euroil”. Momentalisht organi i akuzës është në fazën e listimit të këtyre pasurive dhe pritet që shumë shpejt togat e zeza të vendosin nëse do ngrijnë pasuritë e këtyre bizneseve apo jo. Ndërkohë për sa i përket përgjigjeve të ardhura nga bankat lidhur me llogaritë bankare të dy kompanive në fjalë, burimet thonë se nuk është evidentuar asnjë llogari me vlera të mëdha monetare. Hetuesit kanë ngritur dyshimin se të pandehurit kanë pikasur në kohë veprimet hetimore të prokurorisë dhe për pasojë kanë tërhequr shumat financiare që kishin depozituar në banka. Për të kryer këto tërheqje, dyshohet se janë përdorur personat që të pandehurit i kanë autorizuar me prokura të posaçme. Aktualisht ndaj dy përfaqësuesve ligjorë të kompanive “Fisheku” Iliaz Fisheku dhe “Euroil” Hajri Elezaj është ngritur akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Duke marë shkas nga kjo vepër penale, hetues të çështjes kanë shtrirë hetimet dhe në bizneset e dy të pandehurve, duke verifikuar me detaje të gjitha burimet e pasurisë së tyre. Paralelisht me këto veprime hetimore gjatë ditës së djeshme hetues të prokurorisë kanë shkuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme Doganave ku kanë kçyrur disa nga kompjuterat e këtij institucioni. Në relacionin e verifikimit të kompjuterëve janë shënuar disa raporte vjetore që bëjnë fjalë për eksportimin e tonelatave të naftës virgine për periudhën 2007-2009 deri në gjashtë mujorin e parë të vitit 2010. Tashmë këto raporte janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe shumë shpejt do i nështrohen ekzaminimit nga grupi i hetimit. Momentalisht njësia hetimore Task-Forcë, është duke kryer dhjetëra veprime procedurale, ndërsa ende vazhdon procesi i pyetjes së 13 personave të arrestuar.

I 14-ti në kërkim

Bledar Rama, menaxheri i kompanisë “Euroil” vazhdon të ekzistojë si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Rama është personi i 14 që prokuroria e kryeqytetit kishte prerë fletë-arrestet për të dyshuarit e kësaj skeme kriminale. Të dhënat paraprake tregojnë se Bledar Rama është larguar në drejtim të shtetit Grek, dhe se momentalisht për kapjen e tij janë mobilizuar agjentë të Interpolit. Gjatë këtyre muajve agjentët ende skanë mundur të lokalizojnë vendodhjen e Bledar Ramës, i cili i shpëtoi tre muaj më parë prangave të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›