Basha: Rama me bllokimin e statusit pengoi punësimin e 8 mijë qytetarëve

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takime me banorët e njësive bashkiake nr. 6, 11 dhe 2
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka vijuar bashkëbisedimin me banorët e njësive bashkiake nr. 6, 11 dhe 2. Kryebashkiaku Basha ka deklaruar se PD del para qytetarëve më 23 qershor me një bilanc shumë pozitiv për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Përballë, sipas Bashës qëndron alternativa Edi Rama i cili vetëm me bllokimin që i bëri statusit të vendit kandidat i mohoi vendit të ketë çdo vit të paktën 8 mijë të punësuar më shumë. “Sali Berisha dhe Partia Demokratike, vjen sot para qytetarëve me një bilanc shumë pozitiv siç janë dritat, uji, rrugët, shkollat, 4 herë më shumë studentë, heqjen e vizave, integrimin e vendit në NATO dhe aplikimin për statusin kandidat për të cilin kemi marrë një rekomandim pozitiv. Edi Rama e bllokoi këtë status, dhe i mohoi Shqipërisë 150 milionë euro grante çdo vit. Po t’i bënim shkolla do të binin 100 shkolla me standarde evropiane, po t’i bënim qendra shëndetësore do të binin afro 50 qendra shëndetësore, do të binin afro 3 spitale si QSUT por më të rinj dhe të përgatitur nga fillimi deri në fund me bazë materiale evropiane, i bie 150 km autostradë, i bie shtrim, asfaltim dhe gjelbërim i çdo cepi të Tiranës”, u shpreh z. Basha. Z. Basha ka kërkuar votat e qytetarëve të Tiranës për PD, në mënyrë që të vijohet me realizimin e projekteve që po e ndryshojnë çdo ditë jetën e banorëve të Tiranës. “Më 23 qershor, bëni të mundur me votën tuaj që të mos kthehemi më pas në kohën e konfliktit dhe luftës midis Bashkisë e qeverisë por të ecim përpara, në bashkëpunim me qeverinë e Sali Berishës edhe pas 23 qershorit, për një Shqipëri që ecën përpara dhe për një Shqipëri të zhvilluar”, theksoi z. Basha. Për 11 vjet, ish - kryebashkiaku Rama ka lënë tërësisht në harresë zona të shumta të Tiranës dhe sot kërcënon se nëse vjen në pushtet, do të bllokojë projektet e investimeve të Bashkisë, përfshirë projektet strategjike dhe planin urbanistik të Tiranës.
...