“Rama përbuz sakrificën e dëshmorëve të demokracisë”

Shoqata antikomuniste “26 marsi” reagon për monumentin e Kavajës
“Ne kemi një projekt për sheshin, ato dy gishtat do ja çojmë Saliut t’i vendosë ku të dojë” - deklaroi Rama. Kjo deklaratë e liderit socialist ka ngjallur indinjatën e shoqatës antikomuniste “26 marsi”, të cilët kundërshtojnë ashpër projektin e rehabilitimit të sheshit qendror të Kavajës. Sipas këtij projekti ky monument do të hiqet nga vendi ku ndodhet aktualisht. Ai përkujton revoltën antikomuniste të banorëve të këtij qyteti më 25 dhe 26 mars të vitit 1990. “Me paturpësinë më të madhe ky njeri i pacipë përgojoi atë simbol, që dhe atij vetë i solli lirinë e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Nuk ka rrugaçëri më të madhe se të lëshosh atë shprehje idiote, pikërisht në atë truall, që është derdhur gjak. Harron ky politikan i dështuar se e para revoltë popullore, është organizuar pikërisht në këtë shesh dhe në këtë qytet. Harron ky sharlatan se të parët dëshmorë të demokracisë që do të mbeten përjetësisht pishtarë të demokracisë janë kavajasit, Josif Buda, Qazim Karaqi, Idriz Kazazi dhe Zia Shtini. Më e para gjë, që ti dhe shputa jote shpirtzezë që të shoqëroj në këtë mision të zi, do të ishte që të vendosje një buqetë lule në statujat e tyre. Mirë që nuk e kreve këtë detyrim moral, por kush të lejon të tentosh të bësh atë veprim kriminal, që bëri babi jot me martirin Avzi Nelën. Do të duhet kohë për të na u qetësuar shpirtrat tanë nga ky lëndim, e jo më të guxosh dhe ti afrohesh atij simboli ku rreh dhe pulson zemra e shpirti ynë." Ky momument përbëhet nga dy pllakata gjigante të ngjitura, që duke u lartësuar vijnë duke u ndarë me njëra-tjetrën, në formën e dy gishtave lart. Dita e parë e revoltës, më 25 mars të 1990 në stadiumin e qytetit Kavajës, ka qenë i pari demonstrim publik kundër regjimit komunist, ku gjatë takimit Besa-Partizani, mbarë qyteti u ngrit në këmbë e protestoi fuqishëm me parullat “Poshtë diktatura!”, “Liri-demokraci!”, etj.