E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Vlonjatët do i thonë jo alternativës së tritolit

02-06-2013 / Gazeta 55

Eksploziv në derën e Ardian Kollozit, kreut të PD-së Vlorë

Nën/kryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, reagoi  pas një shpërthimi pranë banesës së kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi. “Në Vlorë ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, një akt terrorist. Elementë të krimit të organizuar kanë vënë një sasi të konsiderueshme tritoli pranë banesës së Kryetarit të Degës së Partisë Demokratike dhe deputetit të ardhshëm të Vlorës, mikut tonë Ardian Kollozi”, u shpreh Patozi. “Duke shprehur në emër të gjithë demokratëve të Vlorës, por besoj në emër të gjithë qytetarëve të ndershëm të Vlorës, solidaritetin e palëkundur me kolegun dhe mikun tonë Ardian Kollozi unë kisha një mesazh edhe për ekzekutorët dhe për inspiruesit e këtij akti të pastër terrorist, i cili ka një prapavijë të qartë politike sepse ndodh pikërisht në mesin dhe në kulmin e fushatës sonë elektorale. Në vrimë të miut po të futen ne do ti gjejmë. Kaq. Ky është mesazhi që kam për ta. Së dyti dua që të ftoj të gjithë demokratët, simpatizantët e Partisë Demokratike dhe çdo vlonjat të ndershëm që të mos dekurajohet por që fushata jonë të vazhdojë më entuziaste seç ka nisur”, ka theksuar Patozi. “Dua që t’u kërkoj atyre që të refuzojmë alternativën e tritolit. Pra, ne kemi një motiv edhe më të fortë për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit dhe ky nuk vlen vetëm për Vlorën por besoj se është një mesazh kombëtar”, tha Patozi. Pra, vijoi nën/kryetari i PD-së, “kundërshtarët tanë politikë duhet të kenë një gjë të qartë që duhet të heqin dorë nga përdorimi i falangave të krimit dhe të vijnë e të ndeshen me ne, me alternativa dhe me ide sepse çdo përpjekje tjetër do të marrë përgjigjen që ata meritojnë”. “Qytetarët e Vlorës, e ritheksoj, kanë një motiv me tepër që të jenë më të bashkuar, më të fortë, më solidarë dhe më mbështetës për alternativën e Partisë Demokratike. Unë kam shumë besim që duke filluar që sot ne do të ndezim një atmosferë akoma më inkandeshente për fushatën tonë, në fitoren e 23 qershorit”, përfundoi deklaratën e tij, nën/kryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›