E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Refuzimi i transparencës, shenjë e keqe e qeverisë - do përballet me reagimin e opozitës

11-09-2013 / Gazeta 55

E djathta unifikon qëndrimin: Transparencë, llogaridhënie dhe kontroll parlamentar mazhorancës

Partia Demokratike dhe aleatët e djathtë unifikojnë qëndrimin politik ndaj refuzimit të transparencës nga mazhoranca e re, për programin e saj e cila nxiton ta kalojë atë në seancë plenare, pa ua dorëzuar deputetëve më parë. Kreu i PD, Basha deklaroi dje pas takimit me aleatët se qeveria do përballet me reagimin e opozitës për çdo mungesë transparence si dhe do të japë llogari për çdo shkelje të kushtetutës

E djathta unifikon qëndrimin e saj, për të përdorur gjitha mjetet demokratike ndaj qeverisë ‘Rama’, për të mos lejuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies si dhe kontrollit parlamentar. Zhvillimet politike të ditës së djeshme, bënë që Partia Demokratike të mbledhë aleatët në një takim në selinë blu. Në takim u diskutua për qëndrimin e Partisë Demokratike dhe të djathtës në lidhje më debatin për programin qeverisës të PS. Në një konferencë për shtyp, pas takimit me dyer të mbyllura me aleatët, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se refuzimi për transparencë është shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë i mazhorancës. Sipas tij, opozita do të mbajë qëndrimin e unifikuar dhe të prerë për këtë akt të papranueshëm. “Sot opozita del me një qëndrim të unifikuar. Qëndrim të cilin duam t’ja bëjmë të ditur qytetarëve shqiptarë dhe që ka të bëjë me një nga interesat më themelore dhe më të rëndësishme të çdo demokracie funksionale, interesin për transparencë dhe llogaridhënie në raport me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante dhe konfliktuale e përfaqësuesve të mazhorancës gjatë paradites, refuzimi për të kryer detyrimin e tyre në raport me Kushtetutën, në raport m,e qytetarët shqiptarë, në raport me virtytet themelore të demokracisë, transparencës dhe llogaridhënien parlamentare, është një problem i çdo qytetari shqiptar. Ne konstatojmë pikë së pari një mungesë të theksuar serioziteti tek kryeministri i dekretuar i cili për më shumë se një muaj ka marrë kohë publike për të njoftuar lloj-lloj emërimesh, lloj - lloj këshilltarësh, seminare, dreka, konferenca e darka të kabinetit në pritje, pa bërë në asnjë moment transparencën e asaj që është, programi i qeverisë së ardhshme. Kjo ka qenë zgjedhja e tij. Por sot ndodhemi në një moment ku kjo mungesë serioziteti përkthehet në një  programim të shkatërrimit të transparencës. Një transparencë të munguar me program, nëpërmjet mungesës së programit të qeverisë. Çdo qytetar shqiptar, edhe ne jemi kuriozë të dimë pa asnjë paragjykim, se çfarë qëndrimesh do të mbajë kabineti i propozuar në raport me premtimet që i janë dhënë qytetarëve shqiptarë”- u shpreh Basha. Numri 1 i demokratëve theksoi se mazhoranca përdori gjuhën e konfliktualitetit me opozitën, e cila kërkoi kohë për tu njohur me programin dhe për të përgatitur pyetjet në lidhje me premtimet që socialistët i kanë bërë shqiptarëve. Basha i bëri thirrje qeverisë “Rama’ të tërhiqet nga vendimi përndryshe do të përballet me reagimin e opozitës. “Sot në Parlament paradite u fol për këto vlera, u fol për tolerancë, u fol për transparencë, u fol për gjithëpërfshirje, u fol për komunikim të ri. Ndërsa pasdite mënyrat e vjetra u vunë në veprim. Mentalitetet e vjetra dolën në pah. Gjuha e vjetër konfliktuale u zgjodh për tu komunikuar me opozitën ndërkohë që ajo kërkoi diçka fare normale, një praktikë të hershme dhe të pandërprerë të parlamentit shqiptar,  kohën  e nevojshme për tu njohur me  programin qeverisës dhe për të përgatitur pyetjet dhe debatin që pret sot çdo qytetar për çështje që i intereson çdo qytetari shqiptar. “Këto nuk janë çështje të politikës në kuptimin e ngushtë të fjalës, apo të interesit politik të partive politike. Këto janë çështje për të  cilat sot çdo qytetar pret, si votuesit e mazhorancës ashtu dhe votuesit e opozitës. Çdo deputet pret po kështu mundësinë për tu ballafaquar për të pyetur dhe për të dhënë mendimin e tij në raport me premtimet në raport me programin. Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer transparencën që është një detyrim kushtetues, është një shenjë e keqe dhe një fillim jo i mbarë për këtë mazhorancë. Prapë sot i japim mundësinë ta korrigjojë këtë gabim duke respektuar plotësisht dhe duke qenë i gatshëm të respektojmë detyrimet në axhendën ndërkombëtare të kryeministrit të dekretuar i themi të tërhiqet qartësisht në mënyrë evidente nga përpjekja për të zhdukur transparencën nga procesi i paraqitjes së programit. U themi të tërhiqen sa nuk janë vonë me ato qëndrime që nuk na ofrojnë me Bashkimin Europian dhe nuk përfaqësojnë praktikat më të mira për të cilat janë votuar. Nëse nuk reflektojnë në raport me qëndrimin e papranueshëm në raport me atë që është një “black out”, një errësirë për qytetarët shqiptarë në raport me premtimet e tyre, programin e tyre, atëherë opozita do të mbajë qëndrimin e saj, të unifikuar, të prerë për këtë akt të papranueshëm. Përgjegjësia është e tëra e mazhorancës.
I bëjmë thirrje të shmangim konfliktualitetit dhe të shmangim provokimet e ti rikthehen normalitetit me këtë hap të parë parlamentarë duke siguruar kohën e nevojshme të barabartë me kohën që kjo opozitë i ka dhënë kësaj maxhorance, kur kjo opozitë ishte në mazhorancë në mënyrë që të kemi një debat të qytetëruar, një debat të vërtetë, të kemi pyetje dhe përgjigje mbi çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve shqiptarë dhe me premtimet që i janë bërë këtyre qytetarëve nga kjo maxhorancë. Qëndrimi i unifikuar do të thotë që ne jemi gati të ndërmarrim çdo hap e çdo veprim për të mbrojtur parimet e shenjta kushtetuese të transparencës dhe llogaridhënies për të mbrojtur parimin e e shenjtë të kontrollit parlamentarë të kontrollit të ekzekutivit. Ne kemi unifikuar qëndrimin për të përdorur të gjitha mjetet e ligjshme dhe demokratike. Shpresojmë dhe urojmë që kjo opozitë të mos shtyhet në vendime dhe vendimmarrje nga mungesa e tolerancës dhe fryma e konfliktualitetit, por që të gjendet gjuha e përbashkët për të realizuar diçka fare normale. E gjitha kjo ishte një provokim i panevojshëm për të realizuar atë që është obligimi i parë dhe themelor i çdo qeverie, transparencë para qytetarëve në momentin e krijimit dhe themelimit të saj”, tha Basha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›