Basha: Shpejt pa viza !

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha deklaroi dje se shumë shpejt shtetasit shqiptarë do të lëvizin lirisht nëpër vendet e Bashkimit Europian. Sipas ministrit Basha, hapat e ndjekur deri tani nga qeveria e kanë afruar më shumë ditën kur vendi ynë do të përfitojë liberalizimin e vizave. Megjithatë, data se kur mund të ndodhë kjo nuk u deklarua as dje. Deklarata e ministrit Basha u bë pas takimit me ministrin e Jashtëm të Qipros, Markos Kyprianou, i cili do të qëndrojë edhe sot për vizitë në Tiranë. Basha shtoi se miratimi i udhërrëfyesit për liberalizimit të vizave për Shqipërinë, është një hap i rëndësishëm. “Ky hap, është në drejtimin e duhur për të arritur brenda një kohe sa më të shkurtër një nga objektivat madhorë të Shqipërisë, lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në të gjithë hapësirën e BE-së”-deklaroi Basha. Gjatë takimit të djeshëm mes dy homologëve, u nënshkrua edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Qipros për “Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Udhëtarëve dhe Mallrave”. Ministri qipriot u takua me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si me presidentin Bamir Topi dhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Në takimet me zyrtarët e lartë u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve ndërsa u diskutua për mundësinë e investimeve qipriote në Shqipëri.