Basha: Të dhënat paraprake premtuese, pres rezultatin zyrtar
Lulzim Basha tha se pjesëmarrja rekord dhe transparenca e procesit kërkojnë që të gjitha palët të njohin dhe të respektojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve
Pasi u hodh edhe vota e fundit në Tiranë, Lulzim Basha deklaroi mbrëmë, para gazetarëve, se paraprakisht ai disponon të dhëna premtuese, por pavarësisht kësaj, ai do të presë numërimin e votave dhe shpalljen e rezultatit nga KQZ-ja. “Votuesi i fundit i Tiranës, që kishte ndërmend të votonte në këto zgjedhje, sapo ka hedhur votën e tij. Nuk ka mbetur më asnjë qytetar pa votuar. Unë kam zgjedhur pikërisht këtë moment, për t’iu drejtuar me një mesazh të gjithë qytetarëve të Tiranës. Së pari, dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës, që u gjithpërfshinë në këtë fushatë, t’i falenderoj për vëmendjen që i kushtuan kandidatëve gjatë kësaj fushate, dhe për mundësinë që më dhanë mua personalisht, ti kushtoj atyre vëmendje maksimale. Por mbi të gjitha, t’i falenderoj për atmosferën e qetë, për respektin e ndërsjelltë dhe qytetarinë që demonstruan në këtë ditë zgjedhjesh. Pjesëmarrja e sotme shënoi një rekord elektoral për Tiranën dhe sikurse e pa çdo kryeqytetas sot, që zgjodhi të votonte, në qendrat që ata votuan, procesi ishte i qetë, i ndershëm, demokratik dhe tërësisht ligjor”, - tha Basha. Ai shtoi se, pjesëmarrja rekord dhe transparenca e procesit kërkojnë që të gjitha palët të njohin dhe të respektojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. “Në këto zgjedhje, të gjithë qytetarët e Tiranës janë fitues. Të dhënat objektive, siç është pjesëmarrja rekord, sondazhet dhe exit-poll-et janë jashtëzakonisht premtuese. Megjithatë, unë jam i vendosur të pres përfundimin e procesit të numërimit dhe shpalljen e rezultatit. Pres të numërohet vota e qytetarëve të Tiranës. Zgjedhjet e ndershme, procesi transparent i numërimit dhe respektimi i rezultatit është shërbimi më i mirë për qytetin tonë dhe për vendin”, - tha Basha. Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, u pyet nëse rivali i tij Edi Rama po përgatit një mosnjohje të rezultatit. “Kjo është një pyetje që ju duhet t’ia drejtoni atij. Natyrisht problem i tij me votën e lirë as nuk fillon, as nuk mbaron sonte. Ajo që dua t’ju them është se, ndonëse të gjitha të dhënat objektive, që nga pjesëmarrja e sotme në votime e qytetarëve të Tiranës, sondazhet paraprake, exit-pollet janë jashtëzakonisht premtuese, unë kam vendosur të pres numërimin e çdo vote dhe shpalljen e rezultatit në mënyrë zyrtare, dhe besoj se kjo është ajo që është normale dhe presin qytetarët e Tiranës dhe kjo është, as më pak e as më shumë, ajo çka pritet nga çdo kandidat, duke përfshirë dhe kandidatin tjetër”, tha Basha. Ai i mëshoi faktit se procesi ka qenë i rregullt. “Duke pasur parasysh transparencën, klimën e respektin e ndërsjelltë të qytetarëve, natyrën plotësisht të ndershme dhe ligjore të zhvillimit të procesit të votimit, duke kërkuar që kjo të vazhdojë edhe me procesin e numërimit, duhet në fund që çdokush të pranojë rezultatin dhe ta respektojë atë”, tha ai. Basha u pyet edhe mbi ecurinë e procesit të numërimit
“Të jeni të sigurt që, ashtu sikundër deri tani, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe të gjithë anëtarët e koalicionit, do të bëjnë gjithçka brenda mundësive të tyre, që edhe pjesa e mbetur e procesit të ecë në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, ligjet dhe Kushtetutën e vendit, duke përmbushur kështu një objektiv të madh ndaj qytetarëve të Tiranës, dhe ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë. Këtë kërkoj, as më pak dhe as më shumë, nga numëruesit, të cilët do të kenë tani në dorë një pjesë të rëndësishme të procesit, por kanë gjithashtu në dorë edhe instrumentet për ta bërë këtë pjesë sa më transparente, sa më demokratike, sa më ligjore. Në këtë mënyrë të përmbyllim me sukses një ditë shumë të mbarë të qytetit tonë, të vendit tonë”, - tha ai.