E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD në distancë si forcë politike, Tirana do ndryshimin

Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se vendi përjetoi një proces zgjedhor të qetë, dinjitoz, të bazuar në ligjin e zgjedhjeve dhe me një pjesëmarrje të lartë: “Unë dëshiroj që edhe kundërshtari të ketë gatishmërinë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga praktika e ankthit, të votës së qytetarëve dhe të vendosë burrërisht për të njohur çdo rezultat”

Në të vetmin reagim publik pas mbylljes së qendrave të votimit, Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se Partia Demokratike dhe "Aleanca për qytetarin" është e vendosur të njohë, të vlerësojë dhe respektojë çdo votë dhe të pranojë çdo rezultat të këtyre zgjedhjeve, duke e vlerësuar procesin tërësisht normal."...në ditën e Europës, shqiptarët votuan më europianë se kurrë në historinë e tyre... Vendi përjetoi një proces zgjedhor të qetë, dinjitoz, të bazuar në ligjin e zgjedhjeve dhe me një pjesëmarrje të lartë. Përshëndes ata dhjetëra mijëra komisionerë të forcave politike, që në tërësi u dëshmuan njerëz të ligjit. Ata vërtetë u ulën në qendrën e votimit si përfaqësues të partive politike, por u sollën si njerëz të ligjit. Dua gjithashtu të falënderoj me mirënjohje të thellë, mijëra vëzhgues vendas dhe të huaj, që ndoqën këtë proces zgjedhor, dinjitoz të shqiptarëve, si dhe median, që transmetoi me transparencë këtë proces", - tha mbrëmë Berisha. Kryeministri shprehu besimin se në tërësi, PD-ja del në distancë si forcë kryesore politike në këto zgjedhje, por se sa konvertohet kjo votë në poste për kryetarë bashkish dhe komunash, për këtë do të pritet rezultati përfundimtar i KQZ-së. "Në rang kombëtar, PD preferon të presë rezultatin nga komisionet zgjedhore, të cilat janë të lidhura online me KQZ-në", - tha mbrëmë Berisha. I pyetur mbi përqindjen e votuesve, Berisha tha se "në Tiranë ajo është më e lartë se zgjedhjet e tjera dhe kjo dëshmon se Tirana do ndryshimin". Kreu i ekzekutivit kishte një mesazh edhe për kryetarin e opozitës, Edi Rama. “Unë dëshiroj që edhe kundërshtari të ketë gatishmërinë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga praktika e ankthit, të votës së qytetarëve dhe të vendosë burrërisht për të njohur çdo rezultat, siç del në sytë e të gjithë botës, ky ishte një proces tërësisht normal”, tha ai

Berisha kërkoi që komisionerët në qendrat e numërimit të votave të respektojnë me rigorozitet kërkesat e udhëzimit të KQZ-së dhe ligjit zgjedhor, për të mundësuar një proces numërimi më të saktin të mundshëm. Kreu i qeverisë vuri në dukje se tashmë procesi zgjedhor po hyn në fazën vendimtare, atë të numërimit të votave, ku ligji zgjedhor i jep çdo komisioneri dhe çdo vëzhguesi të drejtën e vetos. "Kjo mund ta ngadalësojë pak procesin, por prodhon konsensusin absolut më të gjerë", - tha ai. Dalja e Kryeministrit ishte vetëm pak minuta pas publikimit të Exit Poll-it nga PS-ja dhe asaj të Gani Bonit në anën tjetër. I pyetur mbi rezultatet e këtyre sondazheve, Berisha tha se "në gjithë karrierën time politike nuk kam besuar kurrë që partitë mund të nxjerrin kandidatët e tyre humbës". Nga ana tjetër, ai tha se sondazhi i Institutit të Qendrës Humanistike "Gani Bobi" nxjerr një diferencë të madhe mbi dyshifrore, në favor të kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. "Unë u besoj më tepër Exit-Poll-eve të syve dhe zemrës së zgjedhësve dhe në këtë histori Exit-Pollesh, unë mbi të gjitha i besoj facebook-ut", tha Berisha, ndërsa kërkoi që të pritet me besim të madh numërimi i çdo vote nga komisionerët në qendrat e numërimit, të cilëve u bëri thirrje që të harrojnë se përfaqësojnë forcat politike dhe të shndërrohen në përfaqësues të ligjit. Berisha tha gjithashtu se, “ka marrë mesazhe nga faktori ndërkombëtar, që i ka kërkuar tu përcjellë shqiptarëve vlerësimet për mënyrën dinjitoze se si ata zhvilluan këtë proces". “Faktori ndërkombëtar ka qenë thellësisht i angazhuar, deri në fund të procesit. Për këtë i jam mirënjohës, por nuk kam pasur sot kontakt direkt me ta. Unë isha sot në një ditë të shkëlqyer relaksi", - tha ai. I pyetur mbi përqindjen e votuesve, Berisha tha se "në Tiranë ajo është më e lartë se zgjedhjet e tjera dhe kjo dëshmon se Tirana do ndryshimin".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›