E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten 10 për qind pagat e policisë

Qeveria miratoi dje vendimin për rritjen e pagave të Policisë së Shtetit. 

Trazhgim Sokolaj

Sipas vendimit që kaloi dje në Këshillin e Ministrave, 9442 punonjës policie përfitojnë rritje të pagës mujorQeveria miratoi dje vendimin për rritjen e pagave të Policisë së Shtetit. e mesatarisht në 9.8 për qind. Vendimi i djeshëm parashikon rritje page dhe shtesë të veçantë për sektorët specialë të Policisë së Shtetit, si forcat speciale, njësitë e helikopterëve, skuadrat e negociatorëve të atashuara pranë reparteve speciale të policisë dhe efektivat e Njësisë Antiterror. Sipas relacionit që i bashkëngjitet vendimit të djeshëm të Qeverisë, sistemi i ri i pagave në Policinë e Shtetit, i shtrin efektet financiare që nga 1 korriku 2008 dhe në vijim, çka do të thotë se uniformat e policisë do të marrin paga më të larta duke filluar që nga ky muaj. Në relacionin e firmosur nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, thuhet se në hartimin e skemës së re të pagave për Policinë e Shtetit, është tentuar të shkohet në një formulë që rrit motivimin dhe vlerësimin për punën e uniformave blu dhe që vë në dukje hierarkinë e pozicioneve drejtuese, përgatitjes arsimore e profesionale, një skemë që merr në konsideratë edhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ushtrimi i detyrës në disa sektorë të veçantë të Policisë së Shtetit.
Gradat dhe hierarkia
Skema e re e pagave në Policinë e Shtetit është bazuar kryesisht në gradën që mban secili efektiv policie. Hierarkia e gradave, fillon nga niveli zbatues, që përmbledh “nëninspektor”, “inspektor” dhe “kryeinspektor”, vazhdon me nivelin e parë drejtues, që përmbledh “nënkomisar”, “komisar” dhe “kryekomisar”, mbërrin në nivelin e tretë, niveli i mesëm drejtues, që përfshin “Drejtues” dhe “Drejtues i Parë” dhe mbërrin tek niveli i lartë drejtues, “zëvendësdrejtor i përgjithshëm” dhe “drejtor i përgjithshëm”. Për të gjitha këto grada, skema e re parashikon një pagë bazë “për gradë”, e cila më pas rritet në bazë të funksioneve organike që kryen efektivi mbajtës i gradës. Në varësi të kësaj të fundit, edhe rritja e pagës për secilin efektiv është e ndryshme për shkak të funksioneve që kryejnë mbajtësit e gradës, megjithatë sipas përllogaritjes së Ministrisë së Brendshme dhe të Financave, rritja mesatare për 9442 efektiva policie shkon në 9.8 për qind të pagës aktuale. Sipas hartuesve të projektvendimit që u miratua dje në Qeveri, rezulton se me skemën e re të pagave është pasur parasysh që në zbatim të saj, asnjë prej efektivave të policisë, të mos ketë ulje në pagën aktuale, pavarësisht gradës apo pozicionit që mban në hierarkinë e Policisë së Shtetit. Efekti financiar i rritjes së pagave të Policisë së Shtetit, sipas vendimit të djeshëm të Qeverisë, fillon që nga data 1 korrik 2008 dhe në vijim.

“Nënkomisar deri tek drejtuesi i I-rë, s`ka rritje”

TIRANE – Hartuesit e projektvendimit të miratuar dje në Qeveri, kanë propozuar që për tri gradat e nivelit zbatues, “ndihmësinspektor”, “inspektor” dhe “kryeinspektor”, të ketë rritje në pagën e tyre aktuale. Në këtë mënyrë të gjithë efektivat e policisë që mbajnë spaletat e këtyre gradave, do të kenë rritje page të garantuar dhe në masë të konsiderueshme. Sipas projektvendimit, për gradat “nënkomisar” deri në gradën “drejtues i parë”, për shkak të nivelit të lartë të mëparshëm është parashikuar që të mos ketë rritje rrogash. Në këtë mënyrë, mbajtësit e këtyre gradave nuk përfitojnë rritje të pagës mujore pavarësisht miratimit të skemës së re nga qeveria. Lidhur me gradat “drejtor i përgjithshëm” dhe “zëvendësdrejtor i përgjithshëm”, është propozuar të jenë përkatësisht 115 000 dhe 10 5000 në mënyrë që të ruhet diferenca me pagën e zv/ministrit, e cila është 129 000 lekë në muaj.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›