E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet shqiptare të Ilir Kernit

Ka vendosur të braktisë për pak bregdetin kroat dhe startin e pushimeve ta nisë në Shqipëri. Balerini i njohur shqiptar, Ilir Kerni, ditët e nxehta të gushtit ka vendosur t’i kalojë sa në Durrës po aq edhe në Dhërmi me familjen e tij. Janë disa ditë pushimesh të ndërthurura me takime të afërmish dhe me disa “hallakatje” të vogla për të mbyllur një projekt me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. 

ANILA MEMA

Pak ditë më vonë do të largohet drejt Dubrovnikut, ku një grup miqsh e presin për të pushuar së bashku. Mandej një udhëtim pesëditor familjar drejt Amerikës dhe më pas sezoni ia beh. Është një sezon i vrullshëm, me data të caktuara tashmë, me shfaqje të përzgjedhura, që nisin si përherë intensivisht, po aq sa edhe puna e tij që bën në teatër, si baletmaestër. Fundja, profesioni i tij ky është, ditë intensive në teatër dhe fundjava çlodhëse jashtë Zagrebit me familjen, për të cilin është gjëja më e rëndësishme. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Ilir Kerni tregon edhe për bashkëshorten e tij, Dorotea, drejtuese e sesionit shqip në bibliotekën kombëtare kroate, e cila sapo ka përfunduar së përkthyeri një roman nga kroatishtja në shqip, si dhe projektin për Teatrin Kombëtar.
Pushimet ju kanë sjellë në Shqipëri?
Natyrisht sezoni u mbyll dhe patëm një turne në Hungari, pas të cilit u kthyem në Zagreb dhe menjëherë nisëm pushimet. Destinacioni im dihet që është Tirana, ku më presin njerëzit e mi dhe njëkohësisht mendoj që mundet të bëj disa ditë pushime në Dhërmi. Nga mesi i gushtit do të nisem sërish në Kroaci, ku më pas më pret një vizitë private në Amerikë, në datën 22 dhe do kthehem në 29, kur nis edhe sezoni i ri në Zagreb.
E keni shijuar bregdetin shqiptar këto ditë të nxehta gushti?
Në Shqipëri jam kthyer me familjen dhe këto ditë që ndodhem këtu kam qenë nja dy ditë në Durrës dhe pastaj mendoj të rri dhe pak ditë e të nisem më pas në Dubrovnik, ku më pret një grup shoqërie, me të cilët e kemi lënë të takohemi për të bërë disa ditë pushime të tjera. Bregdetin, shumë pak e kam parë. Por në përgjithësi duket shumë më mirë se çdo herë tjetër. Ka një vrull në të gjitha segmentet, që mendoj se shumë shpejt do të jetë tepër interesante. Ne jugun e kemi shumë të mirë dhe i kemi të gjitha mundësitë për të qenë si vendet e tjera bregdetare.
Ndërkohë pas verës shtatori vjen i vrullshëm për ju?
Natyrisht. Fillon sezoni i ri, pothuaj që ditët e fundit të këtij muaji. Ne kemi një balet atje që do të vihet nga një koreograf shumë i famshëm i baletit klasik, Dean Derek, dhe puna ka nisur nga fundi i sezonit. Normalisht pastaj me të filluar sezoni do të nisë puna intensivisht, duke mos harruar pastaj edhe repertorin që vazhdon non stop, përveç gjërave të reja që bëjmë. Datat janë caktuar tashmë për çdo shfaqje dhe projektet janë vendosur.
Gjatë këtij sezoni do të mbeteni vetëm në Zagreb, apo edhe jashtë skenës së saj?
Puna ime është në Zagreb. Pastaj mund të kem ndonjë gjë jashtë Kroacisë.
Si janë ditët në teatër?
Jetë teatri. Jeta e teatrit është në një farë mënyre e zakonshme, pasi fillojnë projektet e reja, përgatiten premierat, por ndërkohë është jetë intensive. Pasi veç tyre ke edhe shfaqjet e repertorit. Ne jemi të detyruar të bëjmë mbi 70 shfaqje në vit. Kështu që në këtë drejtim sezoni është tepër i zënë, sa mbaron njëra fillon tjetra dhe gjithë dita kalon në punë, është e padiskutueshme.
Fundjavat mbeten për familjen...
Po është fundjava, gjatë të cilit unë dal jashtë Zagrebit, për të ndërruar vend, atmosferë, se gjithë ditët janë teatër.
Si bëhet jeta familjare e një artisti?
Në fakt, unë nuk jam për këto ndarjet. Të gjithë jemi njësoj në një farë gjykimi. Normalisht, artisti mund të karakterizohet disi më ndryshe, me një jetë më të ndryshme nga të tjerët, por që familja është absolutisht gjëja më e rëndësishme në gjykimin tim. Të gjitha gjërat shkojnë e vijnë, ndërsa ajo që mbetet është familja, është fillimi dhe mbarimi i çdo gjëje. Kështu që unë mendoj se kush nuk zgjedh këtë drejtim, nuk ka bërë asgjë në jetë.
Ka ardhur fëmijë në familjen tuaj?
Jo ende. Është herët.
Ndonjë projekt në Shqipëri?
Natyrisht që jam në bisedime për një balet të rëndësishëm të repertorit klasik, e gjitha është një gjë e mrekullueshme, për të cilën unë shpresoj të bëhet. Do të ishte mirë për teatrin, për trupën, në përgjithësi si eveniment, a si një gjë që do të mbetej për teatrin tonë, gjithsesi realizohet apo jo, unë mund të them që me dëshirën më të madhe do të doja të kontribuoja diçka këtu. Po qe se nuk realizohet, nuk ka asnjë problem.
Ishte një keqkuptim deklarata juaj e dhënë gjatë vënies në skenë të “La Sylphide”, që nuk do të merrnit më pjesë në shfaqje?
Jo, nuk ishte keqkuptim. Por, në fakt, nuk ka edhe shumë rëndësi kjo, mjafton që unë kam dëshirë të vij në këtë formë, apo në atë formë. Unë nuk mendoj se këtë balet të ri, do ta realizojnë të tjerë. Aty ka disa role që kërkojnë një lloj eksperience dhe nëse do të shoh se është e nevojshme për të marrë pjesë, atëherë do të marr pjesë. Megjithatë në këtë projekt unë do të realizoj vënien në skenë.

Një përkthim në shqip nga Dorotea

Dorotea, bashkëshortja e artistit, e cila drejton sesionin e librit shqip në Bibliotekën Kombëtare në Kroaci, sapo ka përfunduar përkthimin e një romani nga kroatishtja në shqip. Një roman që titullohet “Kali i egër”, i përkthyer në shumë gjuhë të botës, por që së shpejti do të promovohet si në Zagreb, ashtu edhe në Tiranë. “Eshtë një vepër që përfshihet në programin shkollor - tregon Iliri - dhe ky është hapi i parë për të, dhe shumë i rëndësishëm”. Natyrisht nuk do të mbetet me aq, pasi sipas balerinit synon që kjo rrugë të vazhdojë, ndoshta me përkthimin e veprave të autorëve të njohur shqiptarë nga shqipja në kroatisht. “Natyrisht do të shtyj të vazhdoj të bëj përkthime edhe të tjera, pasi Dorotea, është specializuar në një farë kuptimi, qoftë nga shkolla që ka mbaruar atje, qoftë edhe nga puna në bibliotekë e ka ndihmuar për gjuhën kroate”.

Baletmaestri

Në teatrin nacional të Zagrebit, balerini i njohur shqiptar Ilir Kerni punon si baletmaestër. “Në një farë kuptimi mbaj repertorin që kemi, është një punë e vështirë, jo e thjeshtë, sepse ke të bësh me gjithë trupën dhe jo vetëm me solistin. Ndërrohen solistët, dikush sëmuret, dikush duhet të hyjë në një moment të caktuar kur ndodhin aksidente, je i detyruar të punosh gjithë ditën për të zëvendësuar shfaqjen dhe është punë me shumë përgjegjësi dhe tepër e lodhshme”, thotë ai. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›