Basha: Tirana, mundësia më e mirë për investimet e BE

Kryebashkiaku Lulzim Basha dhe ambasadori Ettore Sequi përurojnë rrugën “Murat Toptani”, e vetmja pedonale në Tiranë
Lulzim Basha dhe Ettore Sequi, përuruan dje përfundimin e punimeve në rrugën “Murat Toptani”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Basha e Sequi prenë shiritin e inaugurimit të punimeve të kësaj rruge, ndërtimi i së cilës u bë nga fondet e BE-së dhe deklaruan se projekte të këtyre standardeve do të ketë dhe në vijim, jo vetëm në Tiranë por edhe në Shqipëri. Kreu i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi me Bashkimin Europian. “Në këtë mbrëmje tetori, jemi mbledhur për një ngjarje shumë të veçantë dhe shumë të bukur, aq të bukur sa çdokush këtu besoj, do të preferonte të ishte një dukuri e përhershme në qytetin tonë.
Me ndihmën bujare të Bashkimit Europian, taksapaguesve europianë, të inxhinierëve dhe arkitektëve europianë dhe me dedikimin e stafit të Bashkisë së Tiranës, të Ministrisë së Kulturës, të profesionistëve këtu në Tiranë, ne jemi sot dëshmitarë të rehabilitimit të një prej rrugëve më të vjetra dhe më historike të Tiranës, rruga “Murat Toptani”. Ky është një inaugurim pa risk, pasi prej disa muajsh qytetarët e Tiranës e kanë provuar, shijuar dhe e kanë aprovuar plotësisht ndërtimin e kësaj rruge me kapacitetet më bashkëkohore që mund të imagjinohen, por ashtu si në gjithë procesin e integrimit europian të vendit, pyetja që shtrohet është: A është ky një standard i arritur vetëm njëherë, apo një standard i përhershëm në qytetin tonë?! Z.Ambasador, unë dua t’ju siguroj se për Bashkinë e Tiranës, ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm me Bashkimin Europian.
Le ta shijojmë këtë mbrëmje dhe rrugë të mrekullueshme dhe mos të harrojmë se na pret shumë punë, por edhe mundësi të mëdha përpara, për të treguar se bashkëpunimi midis Tiranës dhe Bashkimit Europian funksionon shumë mirë dhe se Tirana është oportuniteti më i mirë, ku mund të investojë Bashkimi Europian”- u shpreh Basha. Ai tha se projektet e Bashkisë së Tiranës nuk ndalen me kaq, pasi vetëm pak metra larg pedonales, po avancojnë punimet për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, ndërsa projekti madhor afatgjatë i takon zgjatjes së bulevardit nga Stacioni i Trenit deri në Paskuqan. “100 metra më tej, po zhvillohen me shpejtësi punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Pas disa ditësh, ne do të hapim konkurimin për zgjerimin e arteries kryesore të qytetit, në fakt zgjatimin e bulevardit kryesor të qytetit, nga Stacioni aktual i Trenit, deri në rezervuarin aktual të Paskuqanit”- tha Basha. Sipas tij, Bashkia e Tiranës do të lançojë me miratimin e Këshillit Bashkiak, brenda javës së parë të nëntorit, tenderin teknik për segmentin e Unazës nga Shkolla Teknologjike, tek Qendra “Kristal”, ndërsa po ashtu shumë shpejt do të hapet tenderi për dizajnin teknik të Tramvajit të Tiranës.