Kaos me orarin, takimi do të luhet në orën 20.00
TIRANE-Ndeshja mes Shqipërisë dhe Rumanisë nuk do të luhet në orën 21.00 siç ishte parashikuar, por një orë më përpara. Në fakt, ka qenë gjithçka një kaos ai i orarit. Rumunët ishin përgatitur për të luajtur në orën 21.00 dhe këtë e kanë konfirmuar edhe vetë ditën e sotme në Tiranë, por më pas kanë mësuar se Federata Shqiptare e Futbollit kishte bërë një kërkesë në UEFA që takimi të luhej në orën 20.00. Në argumentimin e saj, FSHF përmendte faktin se ndeshja nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për të dyja ekipet. Kësisoj, edhe rumunët kanë qenë dakord. Megjithatë, zyrtarizimi nga UEFA ka ardhur vetëm pasditen e sotme. Në uebsajtin e saj zyrtar shkruhej se ndeshja do të luhej në orën 21.00, ç’ka krijoi një kaos te rumunët nëse kërkesa e Shqipërisë ishte pranuar apo jo. Gjithsesi, ndryshimi në uebsajtin e UEFA-s u bë rreth orës 16 të ditës së sotme dhe përfundimisht, përballja e sotme do të luhet në orën 20.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)