E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiratet e Bashkuara Arabe, angazhim aktiv për njohjen e Kosovës

PRISHTINË-Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës së tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, është pritur nga Ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
MPJ kosovare njoftoi se në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka vlerësuar mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj popullit të Kosovës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan siguroi se shteti i tij do të ndikojë, sidomos te vendet me Qeveri të reja, që ta pranojnë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. "Ne do të shtrijmë ndikimin tonë edhe përtej shteteve arabe”, tha ai.
Ai po ashtu theksoi se përtej marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, duhet të ketë një intensifikim të marrëdhënieve ekonomike.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Ministri Hoxhaj tha se investimet nga investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“U pajtuam të nënshkruajmë tri marrëveshje bilaterale në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Këto marrëveshje dhe investimet nga ky shtet do të forcojnë ekonominë e Kosovës, por edhe miqësinë tonë me EBA-në”, tha Hoxhaj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›