E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI dorëzon në Kuvend projektvendimin për ngritjen e komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore

10-10-2011 / Gazeta 55

Vangjel Tavo: Të ngrihet sa më parë komisioni për reformën zgjedhore


Lëvizja Socialiste për Integrim bën thirrje për ngritjen sa më parë të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherazi deputeti i LSI, depozitoi sot në Kuvend, kërkesën për krijimin e Komisionit Parlamentar për Reformën zgjedhore. Tavo tha se ky komision duhet të marrë në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të funksionojë pa veto dhe pa kushte. Për Tavon, pjesë e këtij komisioni duhet të jenë të gjithë ato forca politike, të cilat kanë mbështetjen e të paktën 2% të elektoratit. “Gjykuam se nuk ka më kohë për të humbur, ndaj morëm këtë nismë zyrtare për të bërë fakt vullnetin tonë për të reformuar sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri. Me këtë nismë ftojmë të gjitha partitë parlamentare, por jo vetëm, të lënë mënjanë retorikat mediatike dhe t’i bashkohen kësaj nisme, e cila synon të kthejë dialogun në institucion dhe për çështje konkrete. Nëse e duam integrimin ky është momenti për tu shprehur! Kemi propozuar konkretisht, të krijojmë një komision parlamentar i cili në dallim nga komisionet e derisotme kërkohet të jetë gjithëpërfshirës, pa veto dhe pa kushte! Kemi propozuar një komision që të respektojë këto standarde: rëndësinë parësore të reformës zgjedhore; pjesëmarrjen e gjerë jo vetëm politike; vendosjen e axhendës së integrimit mbi atë të politikës së ditës; vendosjen e debatit politik në institucionet vendimmarrëse. Për ne të gjitha partitë që përfaqësojnë më shumë se 2% të elektoratit duhet të jenë anëtarë në këtë komision për të kontribuar me idetë e tyre në funksion të përmirësimit të klimës zgjedhore. Ne besojmë se në politikë nuk ka palë, por parti që mendojnë ndryshe por kontribuojnë njësoj për të ardhmen e përbashkët”- u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo. Me këtë propozim LSI synon të zbatojë pikë për pikë rekomandimet 1, 2 dhe 3 të Raportit të ODIHR lëshuar për zgjedhjet e fundit. “Është koha të heqim dorë nga kushtet për njëri-tjetrin dhe të përqendrohemi tek standardet për Shqipërinë”- tha më tej deputeti i LSI-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›