E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi pret Cooper: Gati të dialogojmë për problemet ndërshtetërore

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zv/kryeministret Edita Tahiri, Mimoza Kusari dhe ministrja Vlora Çitaku, priti sot në takim të dërguarin e baroneshës Ashton lidhur me dialogun teknik, Robert Cooper.

Kryeministri Thaçi falenderoi Cooper për punën e tij si lehtësues i dialogut dhe përsëriti qëndrimin parimor të Qeverisë së Republikës së Kosovës se dialogu është vlerë evropiane dhe Kosova është e gatshme të dialogojë me të gjithë fqinjët lidhur me zgjidhjen e problemeve praktike ndërshtetërore, në këtë kuadër edhe me fqinjin verior Serbinë.

Ai theksoi se "Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, të cilin vlerësim e ndajnë edhe Brukseli dhe Uashingtoni. Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës".

Në komunikatën e qeverisë thuhet se "Republika e Kosovës ka axhendë euroatlantike dhe po punon pandërprerë që rruga e integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian të jetë sa më e shkurtër dhe që qytetarët e Kosovës t’i ndiejnë praktikisht të mirat që sjell procesi i integrimit dhe i reformave. Në këtë kuadër, edhe dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve".

Republika e Kosovës tanimë është e gatshme për të thelluar marrëdhëniet formale me Bashkimin Evropian duke i plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret e domosdoshme të integrimit dhe anëtarësimit, theksoi nder te tjera Thaci.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Robert Kuper, qëndroi sot në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve të ndërprera për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja palëve. Të premten ai qëndroi në Beograd ku nuk arriti të siguroi pajtimin e zyrtarëve serb për vazhdimin e këtyre bisedimeve. Beogradi kërkon që të bisedohet për gjendjen në veriun e Kosovës përkatësisht për vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë, në veriun e banuar me shumicë serbe.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›