E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: U kthyem Bashkinë qytetarëve

01-02-2012 / Gazeta 55

Ligjëratë e Kryebashkiakut Lulzim Basha në Qendrën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins SAIS”, në Uashington

Gjatë qëndrimit në Uashington, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ishte ftuar në Qendrën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare John Hopkins SAIS. Arsyeja e përzgjedhjes së Lulzim Bashës, për të referuar në këtë qendër të rëndësishme, e cila renditet e gjashta ndër të gjitha universitetet në mbarë botën, ishte vizioni i yij dhe ofrimi i një modeli ndryshe qeverisje.
Michael Haltzel, lider i shoqërisë civile ndërkombëtare, në Qendrën e Marrëdhënieve Transatlantike “Johns Hopkins” (Universiteti i Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare) bëri një prezantim të karrierës së kryebashkiakut të Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në prezantimin e tij nënvizoi se për të ka qenë një privilegj, të drejtonte disa nga ministritë kyçe në Shqipëri, sikundër ndihej po aq i privilegjuar dhe shumë i motivuar, për t’i shërbyer qytetit të tij, Tiranës dhe bashkëqytetarëve kryeqytetas. Në një arenë të ndezur debati politik, Lulzim Basha vendosi të nxjerrë Bashkinë e Tiranës nga konflikti politik dhe ai personalisht t’i dedikohet gjatë 24 orëve problemeve të qytetarëve të Tiranës.
Mundësinë për të qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, pasi kishte drejtuar më parë 3 ministri kyçe, Basha e konsideron një tjetër shans.
“Kushdo që ka jetuar në këtë qytet dhe në një çast të caktuar ka ëndrrat e tij, se si do të ngjante ky qytet dhe ku edhe unë kam pasur dikur ëndrrat e mia. Një mendim i tillë filloi të rritej çdo ditë në mendjen time, ndërsa kisha shumë kujdes se çfarë nevojitej të bëhej me Tiranën. Dhe si mund ta bëjmë atë? Pasojat më të rënda nga situata politike dhe konflikti politik ishin në Tiranë. Kjo ishte mundësia më e madhe, që t’ia kthenim Tiranën, qytetarëve, që vendi të ecë përpara, dhe t’i çojë qytetarët, në vendin e parë të vendimmarrjes”, tha Basha.
Ashtu si gjatë fushatës elektorale, edhe sot kur kanë kaluar pak më shumë se 6 muaj nga drejtimi i Bashkisë, duke filluar nga Kryetari i Bashkisë dhe të gjithë drejtorët dëgjojnë në mënyra të ndryshme çdo ditë zërin e qytetarëve, qoftë në takime të drejtpërdrejta, përmes letrave, e-maileve apo telefonit. Problemet e qytetarëve dhe jo konflikti politik janë axhenda e Bashkisë së Tiranës.
 “Njerëzit janë më entuziastë dhe kanë filluar të besojnë në këtë gjë.  Madje ‘buxheti 2012’ është diskutuar me ta dhe po kështu do të bëhet edhe për planin urbanistik. Tani po fokusohem në axhendën që dëgjon zërin e qytetarit dhe me rëndësi të madhe është edhe punësimi i tyre. Siç kanë qenë shkurtimet burokratike, jam i vendosur të bëjë gjithçka, jo thjesht për realizimin e premtimeve. Kjo do të jetë një mënyrë më shumë, për të shmangur konfliktet, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytetet e tjera dhe për të qenë më shumë, në themel të problemeve dhe më të orientuar objektivisht”, tha Basha.
Lulzim Bashës iu drejtuan një sërë pyetjesh, lidhur me mundësinë e zbatimit të programit të tij, mbështetjen për gratë kryefamiljare dhe personat në nevojë, mundësinë e zhvillimit të Tiranës dhe tërheqjen e investitorëve etj. Basha bëri të ditur se buxheti për këtë vit do të jetë buxheti më i lartë, pra buxheti me vlerën më të madhe dhe kjo do të mundësohet duke ulur barrën fiskale, rritjes së bazës së tatimpaguesve, reduktimit të informalitetit. Basha bëri të ditur, se vetëm në muajin gusht u regjistruan 495 biznese të reja në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se asete me vlera të larta do të vihen në përdorim, sikundër projektet strategjike të tilla si: zgjerimi i bulevardit që ndërpritet nga lumi Lana, ndërtimi i dy linjave të Tramit, ndërtimit të një terminali të ri, së bashku me stacionin e autobusëve urbanë, që do të marrin jetë shumë shpejt.  Rëndësi e madhe sipas Bashës do t’i kushtohet transparencës dhe rritjes së kapitalit privat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›