Në 1/3 e njësive vendore, nuk janë rifreskuar postet drejtuese
Lidershipi socialist shkel rregullat statutore
Partia Socialiste po përjeton një ndër situatat më të vështira të drejtimit të degëve.
Vitin e kaluar, duke nisur nga muaji qershor duhet të zhvilloheshin zgjedhjet për krerët e njësive vendore të kësaj partie. Proces i cili duhet të përfundonte dhe të finalizohej në Kongresin e 5 nëntorit 2011. Aktualisht nuk janë zhvilluar zgjedhjet në mbi 1/3 e njësive vendore, në të 12 qarqet e vendit, duke shkaktuar një paralizim të punës në parti. Nuk janë zhvilluar zgjedhjet për kryetarin e degës së Bashkisë Tiranë, e cila vlerësohet si më e rëndësishme, duke nisur nga numri i madh zgjedhjësish. Po ashtu, nuk janë zhvilluar zgjedhjet për degën e Bashkisë Shkodër, në Vlorë, Sarandë, Fier, Lezhë, Kukës e në shumë bashki e komuna të tjera.
Lidershipi socialist është vënë nën akuza të forta nga vetë zyrtarë të kësaj force politike për mosrespektim të normave statutore, për mungesë përgjegjësie, dështim në forcimin e strukturave.
Akuzat për paralizim bëhen më të forta, në momentin kur viti 2012 është shpallur si një vit zgjedhor dhe që do i kushtohet tërësisht plotësimit të programit politik për zgjedhjet e vitit 2013 dhe përgatitjeve për këtë garë elektorale. Ndërkohë që lidershipi i Partisë Socialiste flet për nevojën për forcim të strukturave, për afrimin e sa më shumë njerëzve, moszhvillimi i zgjedhjeve, për shumë socialistë është një tregues i mangësive në orientimin e strukturave.