E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Unë dua Tiranën, Rama do karrigen e kryeministrit

TIRANË- Partia Demokratike hap fushatën zyrtare për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Prezantohet në një koncert festiv kandidati zyrtar Lulëzim Basha. Berisha e cilëson me njeriun e sukseseve të PD-së. Basha sipas tij është qytetar, bashkëshort e baba ideal. Basha: Unë e dua Tiranën e mbushur me probleme. Misioni im: Në dy vitet e ardhshme 30 mijë vende pune. Synimet e para: krijimi i agjencisë për mbrojtjen e konsumatorit, infrastrukturë europiane dhe krijimi i agjencisë së punësimit.

BERISHA: BASHA NJERIU I SUKSESEVE TË PD
Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij shprehu mbështetjen për Lulëzim Bashën, ndërsa e prezantoi atë si kandidatin e ri të Bashkisë së Tiranës.

“I dashur Lul Basha, Kryetar i Ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Jemi mbledhur sot për të shprehur mbështetjen tonë kandidatit të PD-së njërit prej personaliteteve më të shquara të sukseseve të PD-së, njërit prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektual dhe të kulturuar”,- kështu e prezantoi kryeministri Berisha të zgjedhurin e tij.

BASHA: UNE E DUA TIRANEN
Ndërkohë nën brohoritjet 'Luli Luli Tirana është e jotja', kandidati i PD për Tiranën Lulzim Basha ka mbajtur fjalën para simpatizantëve të mbledhur në pallatin e Kongreseve.
Basha theksoi se se zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të jenë zgjedhje politike, të cilat ndajnë qytetarët larg synimit kryesor që është Tirana europiana.

“Sot është koha të ndahemi shfaqjet e dhunës për ta vënë Tiranën përpara. Cfarë mund të bëjë një kryebashkiak për cmimin nëse nuk e ndjen në palcë angazhimin për detyrën që ka dhe këtë e dëgjuam mbëmë edhe nga kryebashkiaku aktual i cili tha se ka plane të tjera , pasi ai do karrigen e kryeministrit. Une dua Tiranën se nuk mund të bëj ndryshe se kështu më kanë edukuar prindërit.”

BASHA: JA PROBLEMET E MPREHTA TË TIRANËS
Kandidati i PD për kreun e Bashkisë së Tiranës, Basha duke shpalosur sot programin e tij për zgjedhjet e 8 majit, evidentoi problemet e mprehta me të cilat ndeshet sot kryeqyteti i vendit. "papunësia, trafiku kaotik, ndotja e mjedisit etj, janë disa nga problemet me të cilat përballen sot qytetarët e Tiranës", u shpreh Basha.

BASHA: 3 SYNIMET E MIA TË PARA PËR TIRANËN
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, tha se "hapi i parë pas marrjes së mandatit të kryebashkiakut do të jetë krijimi i një agjencie për mbrojtjen e konsumatorit. Konkurenca e ndershme është suksesi i tregut të lirë".

Ndërkohë që Basha deklaroi se Tirana meriton infrastrukturë europiane dhe për këtë ai zotohet se gjatë mandatit të tij do të ndërtohet tramvai i parë për Tiranën. “Bashkia do të punojë për përmisim e infrastrukturës dhe uljen e cmimit te transportit. Ndërkohë që do të ndërtojmë tramvain e parë të Tiranës.”, - premtoi Basha.

“Shtimi i kostos së burokracisë, radikalizimi dhe konfliktualiteti kanë rritur mundësinë për papunësi nga Bashkia aktuale “,- ka nënvizuar kandidati I PD për Tiranën. Ndaj për këtë arsye ai premtoi ngritjen e një angjencie punësimi, ku prioritet do të jenë studentët e sapo dalë nga auditoret e universiteteve.

BASHA: 30 MIJË VENDE PUNE NË DY VITE
Kandidati i PD-së për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se "Bashkia duhet të bëjë gjithçka për punësimin e të rinjve". "misioni im është hapja e 30 mijë vendeve të punës në 2 vitet e ardhshme", tha Basha. Sipas tij duhet të nxitet ekonomia duke e bërë Tiranën qendrën e biznesit. "Ne do ndihmojmë hapjen e bizneseve të reja dhe zgjerimin e bizneseve ekzistuese. Unë do të ulë 2- 5 herë taksat dhe tarifat vendore", nënvizoi më tej Basha.

BASHA. PROBLEMET NUK ZGJIDHEN ME PROTESTA, POR ME PUNË
Basha gjatë fjalës së tij u shpreh se Tirana ka nevojë për punë në mënyrë që kryeqyteti të kthehet në vendin e mundësive. Ndërkohë ai theksoi se problemet nuk zgjidhen me protesta, por me punë.

“Tirana jonë me njerëzit e saj përballet me probleme reale dhe të përgjithshme që nuk zgjidhet me protesta.Ne mund të bëjmë sikur i mbulojmë me një dorë bojë ato, por kjo nuk zgjidh problemet e vërteta. Betejat politike nuk e cajnë trafikun, nuk ulin cmimet, nuk hapin vende pune dhe nuk ndërtojne parqe lojërash për fëmijët tanë. Qytetarët e Tiranës presin më shumë se beteja politike pasi problemet janë të mëdha. Unë nuk vij që të ndahemi në beteja politike, por vij për beteja që vënë para Tiranën dhe ndihmojnë për të ndërtuar bashkë të ardhmen”,- theksoi Basha.

“Për mua e para është Tirana, të parët jeni ju qytetarët e saj. Cdo politikan mund të premtojë gjëra të bukura dhe të pamundura. Por kryeqytetit ka nevojë për një njeri që ti futet punës, por janë veprat ato që ndryshimin. Unë gjatë punës time kam folur me vepra dhe jo me fjalë, unë do punoj për ju.”- ka përfunduar kandidati i PD për kryeqytetin.
(m.a/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tirana, Rama konfirmon kandidimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›