Basha dhe shefi i Sigurisë së KE, takim për liberalizimin e vizave
TIRANE - Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha zhvilloi dje një takim me shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Evropian Luigi Soreca, ku u diskutua për liberalizimin e vizave. Soreca ishte i shoqëruar edhe nga kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Helmut Lohan. Në këtë takim ministri Basha informoi Soreca-n për ecurinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Duke u ndalur tek planet e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e integruar të kufirit, Lulëzim Basha bëri të ditur në këtë takim hapat e ndjekur për instalimin e plotë të sistemit të informacionit për kontrollin kufitar TIMS, për analizën e informacionit kriminal MEMEX, si dhe kamerat e instaluara për kontrollin e kufirit detar. Ministri i Brendshëm vuri në dukje se deri më tani numërohen rreth 200 mijë aplikime për pasaporta biometrike dhe mbi 190 mijë pasaporta të tilla të prodhuara që nga muaji maj, kur nisën aplikimet. Luigi Soreca duke vlerësuar përparimin e bërë në kriteret më të rëndësishme për liberalizimin e vizave, u shpreh se Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për konkretizimin e të gjithë hapave të nevojshëm deri në arritjen e një propozimi konkret për liberalizimin e vizave. e.d