E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjika: Qeveria po u merr taksat bashkive socialiste

 

Kryetarët e bashkive të disa prej qyteteve kryesore në vend takuan dje kryetarin e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetar të Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, për të diskutuar mbi projektligjin që zhvendos një prej taksës më të rëndësishme nga bashkia drejt qeverisë. Në emër të kryetarëve të bashkive qendër qarku, pas takimit, kryetari i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, u shpreh se qeveria po vjel taksat e tyre vetëm sepse ata janë socialistë, ndërsa tha se investimet në bashki bëhen për të gjithë komunitetin. “Ne jemi të shqetësuar që ky qëndrim vjen për shkak të mospërqasjes politike të vendit që përfaqësojmë ne në këto bashki, në raport me qeverisjen qendrore, por kjo mospërqasje nuk duhet të kalojë në kurriz të investimeve që janë për qytetarët tanë, të cilët na kanë votuar dhe ne i përfaqësojmë, dhe besoj që i kemi përfaqësuar denjësisht deri tani. Këto iniciativa të qeverisë shqiptare bien ndesh me politikën e autonomisë vendore, dhe ne jemi mbledhur sot në një takim dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të mos kujtojë që ne do të kthehemi në një ndërmarrje komunale në varësi të kryeministrit të Shqipërisë, por do të vazhdojmë të përshkallëzojmë qëndrimet tona për të garantuar me ato që na jep Kushtetuta”, tha Gjika pas takimit me Ramën. Sipas projektligjit të qeverisë, taksa e ndikimit në mjedis nga ndërtimet i kalon pushtetit qendror për t’u përdorur për infrastrukturën kombëtare. Projektligji është miratuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe pritet të kalojë në Kuvend. Sipas bashkiakut të Vlorës, reagimi dhe kundërshtimi i bashkiakëve socialistë ndaj këtij projektligji do të shtrihet dhe në bashki e komuna të tjera, pavarësisht përfaqësimit të tyre politik dhe “do ta bëjmë të njohur këtë në institucionet ndërkombëtare, fillimisht nga ato që përfaqësohen në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Gjej vendin që në emër edhe të kolegëve të mi, t’i bëj thirrje Kryeministrit të Shqipërisë që të hapë rrugë, t’i lejojë qytetarët shqiptarë që, pavarësisht si dhe për kë kanë votuar, të shërbehen më cilësisht dhe t’u njihet e drejta për t’u qeverisur dhe për të investuar të ardhurat”, u shpreh Gjika. Në takimin e djeshëm me Edi Ramën ishin të pranishëm bashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i Korçës, Niko Peleshi, i Elbasanit, Qazim Sejdini, i Beratit, Fadil Nasufi dhe ai i Fierit, Baftjar Zeqo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›