Kushtet për vizat, KE: Nuk janë vetëm pasaportat
adi shkembi
Komisioni për çështjet e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë në Parlamentin Evropian debaton për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Raporti i europarlamentares, Tania Fajon, ka hasur vështirësi për shkak të kushteve ende të paplotësuara nga vendi ynë. Komisioni argumentoi se Shqipëria dhe Bosnja kanë një listë të tërë kriteresh pa përmbushur në të 4 blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Vlerësimi tregoi se kishte ende shumë pika kyçe që këto dy vende duhet të zbatonin. Nuk është fjala vetëm për pasaportat biometrike, më lejoni t’ju tregoj se në të katër blloqet e udhërrëfyesit është një listë e tërë me kriteret që mbeten për t’u përmbushur. Pasaportat biometrike është veç kriteri më i dukshëm”, deklaron Dafne Gogou, përfaqësuese e KE për çështjet e brendshme dhe drejtësinë. Përpiluesja e raportit, Tania Fajon, hodhi poshtë pretendimet se përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjes në të njëjtin propozim do të bënte që vendet e BE të rrëzonin edhe Malin e Zi e Serbinë. “Nëse ne i fusim këto dy vende sot, me kushtin për të qenë në listën e Schengen-it të bardhe, ne u përcjellim qeverive mesazhin pozitiv se ne jemi gati, ndaj përmbushni detyrimet tuaja në çdo sektor, jini të përgjegjshëm sepse ështe në dorën tuaj”, ka deklaruar Tania Fajon, raportuese e PE për liberalizimin e vizave me Ballkanin.
Berisha
Ndërkohë kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje dje punonjësve të administratës publike dhe qytetarëve që të aplikojnë për marrjen e pasaportave biometrike si një kusht për përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave. Duke folur në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror të Integrimit, kreu i qeverisë i kërkoi të gjithë shtetasve që dalin jashtë shtetit të pajisen me dokumentin e ri. “Eshtë rasti që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët për qëllime të ndryshme udhëtojnë jashtë shtetit, që t’i marrin këto pasaporta në mënyrë që të realizohet numri më i lartë i mundshëm i pajisjes me pasaporta biometrike”, tha Berisha. “U bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës, të cilët për një arsye apo për një tjetër, dalin jashtë shtetit, të jenë të parët që t’i marrin pasaportat biometrike, pasi përqindja apo numri i këtyre pasaportave është një kriter i rëndësishëm në vendimin e Komisionit Evropian”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit.