E Diel, 1 Nëntor 2026

Delia: Italia mbështet liberalizimin e vizave

 

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, takoi dje në takime të veçanta kortezie ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë. Në takimin që zhvilloi me ambasadorin italian në Shqipëri, Saba Delia, u shpreh vullneti i bashkëpunimit mes dy vendeve në proceset integruese të Shqipërisë. Vetë ambasadori italian ka shprehur vullnetin e shtetit të tij duke thënë se, Italia mbështet liberalizimin e vizave. Italia, tha ambasadori italian, në vendin tonë është promotore e Shqipërisë në strukturat e BE-së dhe jo vetëm kaq, ajo është avokate e vendit tonë drejt BE-së. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, vuri në dukje gjatë takimit me ambasadorin Saba Delia se, “Italia ka qenë dhe mbetet partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë, si dhe një mbështetëse pa ekuivok e përpjekjeve integruese të vendit tonë në strukturat evropiane dhe euroatlantike”. Shumë shpejt z.Meta do të ketë një takim edhe me homologun e tij italian Franko Fratini. Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka vazhduar takimet edhe me diplomatë të shteteve të tjera. Meta priti dje në një takim kortezie ambasadorin e Austrisë në Tiranë, Florian Raunig. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, dhe, në mënyrë të veçantë procesi i liberalizimit të vizave, ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Takimi tjetër ishte rezervuar për ambasadorin e Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›