E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të lihen të lirë studentët protestues të Historisë

 

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se po shkel çdo normë demokratike, duke përndjekur në prokurori studentët që protestuan për librin e “Historisë 12”. Deputetja socialiste Ledi Shamku i cilësoi këto veprime si diktaturë. “Horrllëkun e një libri të turpshëm të historisë, ky pushtet e shtriu duke çuar në prokurori ata djem e vajza që protestuan kundër të tilla tekstesh, të cilat sot i shkruajnë po ata servilë që himnizonin deri dje bëmat e Enver Hoxhës. Nuk është parë e dëgjuar kund në Europën e demokracisë që organizatat joqeveritare të përndiqen dyerve të prokurorisë. Ç’do të bëjë më tej ky pushtet i dhunës? Mos do të shpjerë dyerve të gjyqit edhe gjithë analistët e lirë që këto ditë janë shprehur njëzëri kundër paçavuresh të tilla?! Do të shpjerë dyerve të gjyqit edhe gjithë shqiptarët që janë ngritur kundër Sali Berishës që po grabit historinë kombëtare?!”, u shpreh Shamku. Deputetja socialiste i kërkoi Ministrisë së Arsimit të tërheqë padinë ndaj studentëve. “Ata djem e vajza që sot po kërcënohen, nuk janë vetëm! Partia Socialiste nuk i lë vetëm këta të rinj, të cilët sot i përgëzoj për kurajën që treguan, duke dhënë shembullin e shkëlqyer qytetar se shqiptarët nuk dorëzohen përballë diktaturës”, u shpreh Shamku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›