Basha: Çdo qytetar ta konsiderojë këtë plan, si projektin më të mirë për të ardhmen e qytetit
Plani urbanistik, njësia bashkiake nr. 2 përmbyll turin e konsultimeve me qytetarët
Njësia Bashkiake nr. 2 ka përmbyllur turin e konsultimeve të drejtpërdrejta me banorët e Tiranës, për planin e përgjithshëm vendor. Në 11 njësi bashkiake të Tiranës janë dëgjuar pyetje janë dhënë përgjigje, janë marrë sugjerime për planin e përgjithshëm rregullues. Paralelisht, zëri i qytetarëve, komentet dhe sugjerimet e tyre për planin merren nga urbanistët e Bashkisë, përmes website-it të Bashkisë, postës elektronike, takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët etj.
Përmbyllja e takimeve me qytetarët i hap rrugë nisjes së konsultimeve me grupet e interesit, si fazë e fundit përpara miratimit të këtij plani.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka garantuar dje çdo qytetar të interesuar për pronën, infrastrukturën rrugore apo sociale, hapësirat e gjelbra etj, se plani do të miratohet vetëm pasi çdo qytetar ta konsiderojë këtë plan, si projektin më të mirë për të ardhmen e qytetit. “Vetëm pasi procesi i konsultimeve të ketë shteruar plotësisht, në takime të drejtpërdrejta, përmes internetit siç është vepruar përgjatë gjithë këtyre muajve, postës elektronike dhe asaj të zakonshme si dhe në kontakte të përditshme me zyrën e Urbanistikës e zyrat e tjera të Bashkisë së Tiranës, të minibashkive dhe kryetarin e Bashkisë, kur të gjithë pyetjet, sugjerimet dhe komentet të jenë marrë dhe përgjigja të jetë dhënë dhe pasi ky konsultim të përfitojë edhe nga grupe të tjera të interesit dhe të ekspertëve, ne do t’ia paraqesim për miratim Këshillit Bashkiak dhe më pas Këshillit Kombëtar të Territorit”, u shpreh Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka theksuar se me miratimin në një kohë të shpejtë të planit urbanistik, leja e ndërtimit nuk është më pushtet në duart e kryetarit, por komoditet në duart e qytetarit. “Procesi do të mbyllet brenda një kohe rekord dhe do t’i japë Tiranës planin e përgjithshëm rregullues, instrumentin e munguar të transparencës, do t’i japë Tiranës bashkë-vendimmarrje, do ta kthejë lejen e shumëpërfolur të ndërtimit, nga një vegël misterioze të pushtetit të kryetarit të Bashkisë dhe të tjerëve përreth tij, në një formalitet 55 ditor, transparent dhe automatik në duart e qytetarëve të Tiranës, pronarëve të Tiranës dhe zhvilluesve të Tiranës. Për këtë arsye, është e domosdoshme që procesi të jetë i hapur dhe e nevojshme që çdokush që ka për të thënë diçka në këtë proces, të ketë mundësinë dhe rastin ta thotë”, theksoi Basha.
Në njësinë bashkiake nr. 2 parashikohet ndërtimi i 9 çerdheve, 5 kopshteve, 2 shkollave 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme. Njësia 2 përshkohet nga të gjitha Unazat e qytetit, ndërsa për sa i përket akseve radiale spikasin aksi Veri-Jug që kalon përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe aksi lidhës me Lindjen, nëpërmjet rrugës së Elbasanit. Unaza 1 propozohet të kalojë në rrugën “Luigj Gurakuqi”, mbrapa Pallatit të Kulturës, të dalë në rrugën “Bardhok Biba” e “Urani Pano”, ku ndërpritet me bulevardin “Zogu I”, ndërsa segmenti tjetër fillon tek rruga “Luigj Gurakuqi”, vazhdon përgjatë “George Bush” për të dalë tek bulevardi “Zhan D’Ark” dhe për t’u mbyllur Unazën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek “Ludovik Shllaku”. Unaza 2 propozohet të kalojë në rrugën “Manol Konomi”, duke u ndërprerë me rrugën “Hoxha Tahsim”, për të vijuar në rrugën “Johan Von Hahn” deri tek ndërprerja me bulevardin “Zhan D’Ark”. Unaza 3 është tashmë e formuar në gjurmën ekzistuese, duke përshkuar rrugën “Arkitekt Kasemi”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”. Plani propozon zgjatimin e brigjeve të Lanës deri tek Ura e Shkozës e me tej, tek lidhja me Unazën 5. Po ashtu, propozohet vazhdimi i rrugës “Hasan Sufa”, nga bulevardi “Petro Nini Luarasi”, përgjatë rrugës “Ali Visha”, “Draqo Siliqi”, deri tek ndërprerja me rrugën “Pjetër Budi”, duke dalë në dy degëzimet “Qamil Guranjaku” dhe “Stavro Vinjau”, ku ndërpriten me rrugën e “Elbasanit”. Unaza 4 parashikohet të kalojë nga rruga “Kristo Luarasi” (poshtë digës së Liqenit) me tunel për t’u ndërprerë me rrugën e Elbasanit dhe duke vazhduar deri tek zgjatimet e të dy krahëve të Lanës. Për të përmirësuar lëvizshmërinë brenda njësisë 2, duke mundësuar lidhjen midis Unazës 3 dhe 4 parashikohet zgjatimi i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, deri te ndërprerja me Unazën 4. Plani propozon fuqizimin e 2 lidhjeve me rrugën “Shefqet Ndroqi”, që vijnë njëra si vazhdim i rrugës “3 Vëllezërit Kondi” dhe tjetra si lidhje e rrugës “Irfan Tërshana” me të. Unaza 5 vazhdon nga segmenti tek Kopshti Zoologjik, duke kaluar në rrugën “Selim Brahja”, ku një segment bën lidhjen deri tek rreth-rrotullimi në Sauk dhe segmenti tjetër vazhdon me pjesën lindore të Unazës, deri te rreth-rrotullimi tek ish - Uzina Traktori. Përsa i përket akseve radiale, me rëndësi është fuqizimi i aksit të lindjes, nëpërmjet zgjerimit të rrugës së “Elbasanit”, për tu lidhur me rrjetin kombëtar. Për sa i përket parkimeve nëntokësore, në këtë njësi, për nga vetë shtrirja e saj, propozohet ndërtimi i 5 parkimeve nëntokësorë, respektivisht mbrapa Pallatit të Kulturës, sheshi “Avni Rustemi”, para dhe pas stadiumit “Qemal Stafa” dhe në rrugën “Qamil Guranjaku”. Për sa i përket infrastrukturës së transportit publik, përveç linjave të autobusëve propozohen kalimi i linjës Veri - Jug, të tramit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe linja në Unazën 3 të qytetit.