E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Të përfitojmë nga kreditë e FMN dhe BB

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Guvernatori: Kujdes në ruajtjen e parametrave makroekonomikë.

Inflacioni, 1.6 për qind, BSH: Nuk përbën problem.

Shqipëria duhet të përfitojë nga kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare, siç janë Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, por për të bërë këtë duhet tu demonstrojë atyre parametra të qëndrueshëm makroekonomikë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, edhe një herë dje shprehu qëndrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me kujdesin që duhet të ketë qeveria për menaxhimin e situatës në një kohë kur është e rrethuar me probleme nga fqinjët apo dhe më gjerë. Kreu i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se është koha e duhur që të përfitohet nga kreditë e institucioneve ndërkombëtare, por njëkohësisht duhen parë edhe mundësi të tjera të përfitimit nga efektet e konkurrueshmërisë. Të përfitojmë nga efektet e një konkurrueshmërie të ekonomisë në mënyrë që ti përfitojmë në kohë këto fonde, të cilat do të jenë të gatshme për të implementuar projekte të së ardhmes. Është e rëndësishme për ne sot kujdesi për të ruajtur parametrat makroekonomikë, në mënyrë që gatishmëria e institucioneve ndërkombëtare për të mbështetur ekonomi si ekonomia shqiptare në kuadrin e ekonomisë globale, të jetë sa më efikase, u shpreh guvernatori dje në fjalën e tij pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes. Aktualisht Shqipëria është në diskutime me Bankën Botërore për të përfituar nga ndihma e kësaj të fundit. Kreu i BSH konfirmoi dje se vendi ynë është në diskutime të hapura për të përfituar nga ndihma e institucioneve ndërkombëtare. Ne vazhdojmë të jemi të hapur dhe vazhdojmë me diskutime konkrete për të përfituar fonde të tilla. Mendojmë që i kemi të gjitha mundësitë për të përfituar, dhe ka një angazhim total të ekonomisë për këtë, tha Fullani.
Inflacioni
Për muajin janar, INSTAT vlerësoi se inflacioni ishte 1.6 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vlerësoi dje se nuk ka arsye për tu shqetësuar. Ne mendojmë që inflacioni do të jetë brenda objektivit afatmesëm 2-4 për qind, megjithatë, Banka e Shqipërisë me vendimet e saj të kohëve të fundit dhe me qëndrimet e saj sot dhe për vitin ku jemi, ka treguar me transparencë objektivin e saj për inflacionin, parashikimet dhe vlerëson që inflacioni është i mirankoruar. Banka e Shqipërisë, siç përmenda, do të jetë vigjilente për çdo zhvillim të ekonomisë së jashtme dhe të brendshme në marrjen nga ana e saj të vendimeve për politikën monetare, u shpreh guvernatori.

Efekti
Ulja e normës bazë të interesit për lekun, e cila aktualisht është 4.5 për qind, nuk është transmetuar në treg, dhe kjo shihet edhe tek interesi i bonove të thesarit, i cili është dukshëm lart në ankandet e fundit. Por, kreu i BSH u shpreh dje se realizimi i politikës monetare në ekonomi apo përcjellja e saj vjen nga 2 deri në 8 muaj, dhe në këtë kontekst do të thotë që është koha e përshtatshme për të diktuar.

Borxhet e energjisë, qeveria vendim për shlyerjen e dyanshme

Nga mbledhjet e qeverisë

Zinxhiri i borxheve mes kompanive të sektorit energjetik, CEZ Shpërndarje, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, pritet të zgjidhet së shpejti. Qeveria ka miratuar një vendim ditën e djeshme lidhur me një marrëveshje që i detyron të gjithë aktorët, përfshi edhe institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, që të shlyejnë borxhet që kanë mes njëri-tjetrit për energjinë apo shërbimin e papaguar. Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e marrëveshjes për fillimin e procedurave për shuarjen, me kompensim, të detyrimeve të ndërsjella ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve dhe shoqërive të kontrolluara nga shteti dhe CEZ Shpërndarje, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërkohë që në rast se do të shihet mungesë vullneti për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Ministrisë së Financave i janë dhënë të gjitha autorizimet për të përdorur masa shtrënguese në mënyrë që të shlyhen këto detyrime. Ministria e Financave autorizohet të përdorë të gjitha procedurat shtrënguese ligjore, me qëllim që të shlyhen në një kohë sa më të shkurtër detyrimet e institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore të marra përsipër nga KESH-i dhe OST-ja, sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe të gjitha detyrimet e tjera që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, sqaron vendimi.

20 milione usd borxh i ka dhënë qeveria KESH-it për të pasur mundësi financiare për blerje energjie. Ky borxh do të ketë një interes 0.5 për qind dhe nëse nuk shlyhet në kohë, interes disa herë më të lartë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›