E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kësti i dytë i dëmshpërblimit për të përndjekurit fillon pas datës 20 mars

01-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri garanton ish të përndjekurit politikë për zgjidhjen e vonesave ligjore

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se deri në datën 20 mars të këtij viti, duhet të zgjidhet çdo pengesë ligjore dhe të fillojë lëvrimi këstit të dytë për dëmshpërblimet e të përndjekurve politikë.
Kryeministri tha se ka pasur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet dhe se ministria e drejtësisë dhe ajo e financave ka marrë masat që kjo të realizohet nëpërmjet të miratimit të disa vendimeve.
“Një çështje e dytë të rëndësishme është çështja e këstit të dytë që duhet të lëvrohet për të përndjekurit politikë. Ka pasur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet dhe ministria e drejtësisë dhe ajo e financave ka marrë masat që kjo pengesë të kapërcehet nëpërmjet dy, tre vendimeve që duhet detyrimisht të miratohen për të kapërcyer pengesën ligjore të krijuar nga amendimet e fundit të ligjit. Është e domosdoshme zotërinj ministra që deri në datën 20 mars të jetë zgjidhur çdo pengesë ligjore dhe të fillojë lëvrimi i këstit të dytë, sepse ky këst është i shumëpritur nga të përndjekurit dhe natyrisht plotësisht i merituar. Amendimet imponojnë jo vetëm një shtim substancial të numrit, por mbi të gjitha imponojnë lëvrime për një moshë të caktuar, shumë më të mëdha se sa parashikohej për këstet, në ligjin e mëparshëm. Ne do të bëjmë gjithçka që ti përgjigjemi ligjeve dhe pasi të bëhet studimi të shikojmë se çfarë ndërhyrjesh apo shtesash duhet të bëjmë që tu përgjigjemi amendimeve që kemi bërë dhe ato të bëhen efektive sa më shpejt”, u shpreh kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›