E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha e shtyn Torinon drejt Serisë A

Migjen Basha e ka shtyrë Torinon drejt Serisë A. Mesfushori kosovar ka shënuar gol në minutën e 52-të në fitoren ndaj Sassuolos me rezultat 3:0. Me këtë rast, ekipi Granata e ka bërë një hap të madh drejt elitës së futbollit italian.

Torinon e ndan vetëm një pikë nga Serie A, kur kanë mbetur vetëm dy xhiro pa përfunduar sezoni në Serie B. Përkundër këtij fakti, futbollisti shqiptar kërkon nga shokët e skuadrës të mos nguten të festojnë, derisa ta sigurojnë përfundimisht inkuadrimin në një rang më të lartë garash.

“Ishim të mllefosur pas ndeshjes me Pescaran. Ishim të motivuar dhe dëshironim që ta shprehnim këtë mllef në këtë takim. Ishte një ndeshje e rëndësishme, ku e dinim se do ta kishim një mundësi që ta mposhtim Sassuolon dhe të shkëputeshim ndaj Veronës. Ne ia dolëm, ishte një fitore çliruese, por duhet ta mbajmë këtë ritëm deri në fund, derisa matematika nuk na lejon të festojmë”, deklaroi futbollisti me pasaportë zvicerane pas ndeshjes. Golat tjerë për Torinon i shënuan D'Ambrosio e Meggiorini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›